Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer Jared Kushnerin në qendër të përpjekjeve diplomatike për Gazën, në një moment kur negociatat për zbatimin e planit të paqes mbeten të bllokuara mes kushteve të vendosura nga Izraeli dhe Hamasi.
Kushner, dhëndri dhe i dërguari i Trump, zhvilloi të dielën në Egjipt një takim të rrallë me drejtues të Hamasit, mes tyre Khalil al-Hayya. Në bisedime mori pjesë edhe Nickolay Mladenov, Përfaqësuesi i Lartë për Gazën në Bordin e Paqes.
Takimet kishin në fokus avancimin e planit amerikan për Gazën dhe veçanërisht çështjen e çarmatimit të Hamasit, tërheqjen graduale të forcave izraelite dhe kalimin e administrimit të territorit te një strukturë palestineze teknokratike.
Gjatë qëndrimit në Egjipt, Kushner zhvilloi bisedime edhe me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, ndërsa në proces janë përfshirë ndërmjetësues nga Egjipti, Katari dhe Turqia.
Pas takimeve në Egjipt, Kushner udhëtoi drejt Izraelit, ku pritet të takohet këtë të hënë me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Takimi shihet si një përpjekje për të kapërcyer një nga pengesat kryesore të procesit: kundërshtimin e Netanyahut ndaj mënyrës se si është parashikuar zbatimi i planit.
Në qendër të negociatave është një udhërrëfyes prej 15 pikash për zbatimin e planit amerikan për Gazën. Ai parashikon hapa reciprokë, përfshirë çarmatimin gradual të Hamasit dhe fraksioneve të tjera palestineze, si dhe tërheqjen e forcave izraelite.
Netanyahu ka kundërshtuar propozimin, duke këmbëngulur se ushtria izraelite nuk duhet të tërhiqet përpara çarmatimit të plotë të Hamasit. Nga ana tjetër, Hamasi kërkon që Izraeli të ndërmarrë hapat e tij dhe të respektojë angazhimet për ndalimin e sulmeve dhe tërheqjen e forcave.
Kushner ka luajtur një rol të rëndësishëm në politikën amerikane në Lindjen e Mesme edhe gjatë mandatit të parë të Trump, veçanërisht në negociatat që çuan në Marrëveshjet e Abrahamit.
Rikthimi i tij në rajon tregon përpjekjen e administratës Trump për t’i dhënë një shtysë të re procesit. Megjithatë, dallimet mbi rendin e çarmatimit të Hamasit dhe tërheqjes së ushtrisë izraelite vazhdojnë ta mbajnë të pasigurt zbatimin e marrëveshjes dhe perspektivën për një paqe të qëndrueshme në Gaza.






















