Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se anëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Evropian nuk përbën më një prioritet për Ankaranë, duke fajësuar Brukselin për mungesën e përparimit në procesin e integrimit. Megjithatë, Erdogan nuk e ka mbyllur plotësisht derën për një anëtarësim të mundshëm në të ardhmen.
Në një intervistë për Al Jazeera, presidenti turk tha se BE-ja nuk duket e gatshme ta pranojë Turqinë si anëtare dhe paralajmëroi se, nëse Evropa vazhdon ta mbajë Ankaranë jashtë unionit, ajo vetë do të jetë pala që humbet. Turqia ka statusin e vendit kandidat që prej vitit 1999, ndërsa negociatat e anëtarësimit nisën në vitin 2005, por prej vitesh procesi ka mbetur praktikisht i ngrirë.
“Anëtarësimi në BE nuk është më prioriteti ynë”, është shprehur Erdogan, duke shtuar se Turqia ende e konsideron të mundur anëtarësimin, nëse Brukseli ndryshon qëndrimin e tij.
Gjatë intervistës, Erdogan foli edhe për marrëdhëniet me SHBA-në dhe çështjen e avionëve luftarakë F-35, si dhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme. Ai u ndal veçanërisht te marrëveshja e re e përbashkët e mbrojtjes mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit, e nënshkruar më 7 gusht në Mekë.
Marrëveshja parashikon që një sulm i armatosur ndaj njërit prej tre vendeve të konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Erdogan e cilësoi këtë pakt si një mesazh të rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë që edhe Egjipti t’i bashkohet marrëveshjes në të ardhmen.
Erdogan foli gjithashtu për situatën në Ngushticën e Hormuzit, Sirinë dhe Gazën, duke theksuar se Ankaraja synon të rrisë rolin e saj në zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon.






















