Arrestohet në afërsi të banesës së tij në Zallë, i shumëkërkuari Ylli Zalla. Ai u kap në orën 5 të mëngjesit nga forcat RENEA dhe ishte i pajisur me kallashnikov me 3 krehëra fishekësh. Dje iu vendos tritol në derën e banesës dhe iu dogj makina. Policia deklaroi se ka dyshime se e ka vendosur vetë dhe, në kundërpërgjigje, ai u shfaq para shtëpisë duke akuzuar policinë.
Ylli Zalla u shpall në kërkim në nëntor 2025, pasi në banesën e tij u zbulua një arsenal armësh gjatë hetimeve për atentatin te rrethrrotullimi i Rinasit, ku u vra Gilando Dani, krahu i djathtë i Shullazit, dhe Muçi Shaljani alias Sheqeri.
Më 20 shkurt 2026, Policia zbuloi një tjetër arsenal armësh në fshatin Zall, i cili dyshohet se i përkiste 49-vjeçarit Zalla. Ai dyshohet se furnizonte grupet kriminale me armë.
Pas arrestimit të Zallës reagoi Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor ‘Fundi i Arratisë’, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.
Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë dhe tashmë është arrestuar nga Policia e Shtetit”, njoftoi MB.






















