Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë dhe për pasojë gjashtë persona mbetën të plagosur. Forcat zjarrfikëse mbërritën në vendin e ngjarjes, për t’i vënë nën kontroll flakët pas më shumë se dy orësh.
Nga të dhënat paraprake, zjarri ra në katin e parë të godinës, në lokal dhe më pas u përhap në të gjithë fasadën.
Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes thanë se, për t’u shpëtuar flakëve, disa nga pushuesit që ndodheshin në hotel u hodhën nga dritaret.
Pesë nga të dëmtuarit janë shtetas të Kosovës, ndërsa i gjashti nga Rrësheni. Ata u transportuan fillimisht për në spitalin rajonal në Vlorë, ku morën ndihmën e parë. Dy prej të plagosurve janë transportuar për trajtim të specializuar drejt QSUT-së, ndërsa 4 të tjerë i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale. Në hotel kishte edhe pushues nga Polonia dhe Ukraina.
Njoftimi i Policisë
Vlorë/ Informacion paraprak
Sot, rreth orës 04:05, në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, ka rënë zjarr në ambientet e brendshme të një hoteli, në pronësi të shtetases M. A.
Si pasojë e zjarrit janë lënduar 6 pushues, (5 prej tyre shtetas të Kosovës dhe 1 shtetas nga Rrësheni).
Pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ku 2 prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Një shtetas po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë.
Gjithashtu, nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale.
Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes.






















