
Angjelin Sterkaj, shqiptari i dënuar me 16 vite burg për vrasjen e bashkatdhetarit të tij Armando Beqirai në Islandë, është liruar me kusht dhe është dëbuar drejt Shqipërisë pasi ka vuajtur rreth një të tretën e dënimit.
Lajmi është konfirmuar për median islandeze “Vísir” nga drejtoresha e Administratës së Burgjeve, Ragna Bjarnadóttir. Sterkaj është dëbuar nga Islanda dhe ndaj tij është vendosur ndalim rikthimi në vend dhe në zonën Schengen.
Vendimi është bërë i mundur nga ndryshimet e fundit të përkohshme në legjislacionin islandez, të cilat lejojnë lirimin me kusht të të burgosurve të huaj, për të cilët është marrë vendim dëbimi, pasi kanë përfunduar një të tretën e dënimit.
Sterkaj ishte dënuar për vrasjen e 33-vjeçarit shqiptar Armando Beqirai, ngjarje e ndodhur më 13 shkurt 2021 në Rauðagerði. Beqirai, baba familjeje, sapo kishte mbërritur në banesën e tij dhe kishte parkuar automjetin në garazh. Në momentin që doli nga garazhi, ai u qëllua nëntë herë me armë zjarri.
Ngjarja shkaktoi tronditje të madhe në Islandë dhe vrasja u përshkrua në mediat vendase si një “ekzekutim”. Hetimet për çështjen ishin ndër më të mëdhatë të zhvilluara në vend gjatë viteve të fundit, ndërsa autoritetet dyshuan se krimi mund të lidhej me një përplasje në botën e krimit.
Gjykata e Lartë e Islandës e dënoi Sterkajn më 21 qershor 2023 me 16 vite burg. Në llogaritjen e dënimit iu njoh edhe periudha e paraburgimit, që kishte nisur më 17 shkurt 2021.
Sipas përllogaritjeve të publikuara nga “Vísir”, Sterkaj kishte kaluar 855 ditë në paraburgim dhe 1.149 ditë duke vuajtur dënimin, ose gjithsej 2.004 ditë pas hekurave. Kjo përkthehet në rreth pesë vjet e gjysmë burg, ndërsa një e treta e dënimit prej 16 vitesh përllogaritet në 1.947 ditë.
Përveç Sterkajt, Gjykata e Lartë dënoi edhe persona të tjerë të përfshirë në çështje. Claudia Carvalho u dënua me tre vite burg, Murat Selivrada me katër vite, ndërsa Shpetim Qerimi mori një dënim prej dhjetë vitesh.
Sterkaj ishte në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare
Një tjetër element i çështjes lidhet me faktin se Sterkaj rezultonte më herët person në kërkim në Shqipëri. Sipas medias islandeze, autoritetet shqiptare kishin kërkuar në vitin 2015 ekstradimin e tij për ekzekutimin e një dënimi të dhënë në Shqipëri për grabitje.
Megjithatë, kërkesa e autoriteteve shqiptare ishte refuzuar nga Islanda në vitin 2017, pasi ishte vlerësuar se nuk plotësonte kushtet e legjislacionit për ekstradimin dhe marrëveshjeve ndërkombëtare ku Islanda është palë.
Sterkaj rezultonte ende në kërkim nga Shqipëria në vitin 2021. “Vísir” thekson se nuk ka informacion nëse dënimi apo çështja e tij në Shqipëri është parashkruar, ndaj mbetet e paqartë nëse pas kthimit në vend ai do të jetë i lirë apo do të përballet me autoritetet shqiptare.
Ligji i ri synon edhe lehtësimin e mbipopullimit të burgjeve
Parlamenti islandez miratoi më 1 qershor ndryshimet në ligjin për ekzekutimin e dënimeve, të propozuara nga ministrja e Drejtësisë, Þorbjörg Sigríður Gunnlaugsdóttir. Ato lejojnë lirimin me kusht të shtetasve të huaj që do të dëbohen nga vendi pasi të kenë vuajtur një të tretën e dënimit.
Pas lirimit, personat dëbohen menjëherë dhe, në varësi të rastit, ndaj tyre vendoset ndalim hyrjeje në Islandë dhe në zonën Schengen. Për veprat më të rënda, autoritetet islandeze mund të vendosin edhe ndalim të përhershëm hyrjeje në të gjithë zonën Schengen. Masa ligjore është e përkohshme dhe do të jetë në fuqi deri më 1 korrik 2027.
Sipas drejtueses së Administratës së Burgjeve, rreth 20 të burgosur të huaj janë liruar me kusht dhe dëbuar nga Islanda deri tani, ndërsa disa dhjetëra të tjerë mund të përfitojnë nga e njëjta dispozitë.
Autoritetet argumentojnë se masa ndihmon gjithashtu në uljen e presionit mbi sistemin penitenciar islandez, i cili prej vitesh përballet me mungesë kapacitetesh.
Rasti i Sterkajt ka marrë vëmendje të veçantë për shkak të rëndësisë së krimit dhe faktit se nga dënimi prej 16 vitesh ai ka kaluar pas hekurave vetëm rreth pesë vjet e gjysmë, përpara se të lirohej me kusht dhe të dërgohej në Shqipëri.






















