Një grua në Australi ka sjellë në jetë katër vajza identike, në një shtatzëni aq të rrallë sa mjekët e vlerësojnë se mund të ndodhë vetëm një herë në rreth 15 milionë raste.
Jenitar Na’amoana, 34 vjeç, solli në jetë Emily, Harriet, Alexa dhe Catherine në Royal Brisbane and Women’s Hospital.
Katër vajzat janë monozigotike, që do të thotë se shtatzënia nisi nga një vezë e vetme e fekonduar, e cila më pas u nda duke krijuar katër embrione gjenetikisht identike.
Ato ndanin gjithashtu të njëjtën placentë.
Edhe më e pazakontë është se shtatzënia ishte spontane dhe jo rezultat i trajtimeve të fertilitetit.
Për shkak të rrezikut të lartë, nëna u monitorua intensivisht gjatë shtatzënisë. Vajzat erdhën në jetë me operacion cezarian në javën e 28-të dhe katër ditë.
Pavarësisht lindjes së parakohshme, spitali bëri të ditur se të katërta lindën në gjendje të mirë dhe po marrin kujdes në repartin neonatal.
Specialistja e mjekësisë fetale Alexa Bendall tha se një shtatzëni e tillë mund të mos jetë regjistruar më parë në Australi.
Historia u raportua fillimisht në korrik dhe është rikthyer në vëmendjen ndërkombëtare për rrallësinë e jashtëzakonshme biologjike të rastit.






















