Shitësit e librave të përdorur në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë raportojnë se ka një valë porosish me shumicë nga blerës misteriozë, mes spekulimeve se janë kompanitë e inteligjencës artificiale ato që po i blejnë librat për të siguruar të dhëna.
Libraritë e kontaktuara nga “The Guardian” thonë se kanë marrë porosi nga blerës në SHBA, Kanada, Europën kontinentale dhe Mbretërinë e Bashkuar. Rritja e këtyre porosive është vërejtur në mbarë botën, ndërkohë që edhe librashitës në SHBA, Australi dhe Europë kanë raportuar për porosi të pazakonta.
Stuart Manley, bashkëpronar i Barter Books në Alnwick, Northumberland, tha se porositë, të cilat nisën të mbërrinin rreth tre muaj më parë, ishin të pazakonta, sepse nuk ndiqnin modelin tipik të grumbullimit sipas temave, si sporti apo automobilizmi.
“Është padyshim një kombinim i çuditshëm librash”, tha Manley. “Normalisht një porosi librash ka një temë, por kjo është krejt e shpërndarë.”
Një porosi të fundit kërkonte romanin “The Mission Song” të John le Carré të përkthyer në estonisht, një kopje të “Agnes Grey” të Anne Brontë, i botuar nga një botues i caktuar, si dhe numrin e tetorit 1983 të revistës mujore “Warship”. Manley tha se u kishte shitur “qindra” libra të rastësishëm tre blerësve, për një total prej rreth 4,000 paundësh.
Jim Shaughnessy, pronari i MW Books në Claregalway, Irlandë, tha se biznesi i tij kishte marrë porosi të mëdha dhe të larmishme që nga maji.
“Ato janë sporadike, me sa duket të drejtuara nga makina dhe kanë shumë pak lidhje tematike; nga libra mbi pajisjet bujqësore në Afrikën e shekullit XVIII deri te biografitë e pilotëve të makinave të garave të viteve 1950”, tha ai. “Personalisht, nuk mendoj se kemi të drejtë t’i diktojmë ndonjë klienti se çfarë të bëjë me blerjet e tij, por është më shumë se kurioze të shohësh se çfarë po përzgjidhet.”
David Gower-Spence, pronari i BookLovers of Bath (Mbretëria e Bashkuar), tha se midis majit dhe korrikut kishte patur një vërshim porosish për rreth 200 libra nga blerës që janë përmendur edhe nga shitës të tjerë të kontaktuar nga “The Guardian”.
Njëri prej tyre, Zoom Books, në Kanada dhe i përmendur edhe në raportime të tjera mediatike, e përshkruan veten si “kompania kryesore e riciklimit të librave në Amerikën e Veriut”. “The Guardian” e ka kontaktuar Zoom Books për koment.
“Për njëfarë kohe ishte dërrmuese edhe për mua që jam relativisht i organizuar”, tha Gower-Spence.
Një shitës librash të përdorur në Mbretërinë e Bashkuar, i cili donte të mbetej anonim, tha se nga blerës të ndryshëm mund të vijnë disa porosi të rastësishme, por të gjitha porositë dërgoheshin në të njëjtën adresë.
“Identitetet e fshehura pas këtyre porosive janë shumë të paqarta, madje edhe për shitësit me përvojë të librave”, tha burimi.
“The Guardian” pa se i njëjti kod postar për dërgesë, që përdorej nga blerës të ndryshëm, i përkiste një grupi magazinash transporti pranë aeroportit Heathrow.
Shitësi i librave, i cili që nga janari kishte marrë porosi për 6,000 libra nga blerës të ngjashëm, me vlerë prej mijëra paundësh, tha se blerësit paguanin “çmimin e plotë” dhe nuk kërkonin zbritje, pavarësisht se porositnin tituj në sasi të mëdha.
“Biznesi i shitjes së librave të përdorur po çrregullohet, sepse kjo nuk është diçka tipike për këtë treg”, tha shitësi. “Duket sikur ose një njeri, ose një makinë, po zhytet në ‘sandbox-in’ e librave të përdorur dhe ajo që po blejnë nuk ka asnjë kuptim në raport me tendencat e përgjithshme të tregut.”
“The Guardian” raportoi këtë muaj se edhe shitësit australianë të librave kishin patur një shumim porosish, ku njëri prej tyre tha se masa e papritur e kërkesës “po më çmendte”.
Kjo valë porosish ka nxitur spekulime mes librashitësve se librat po blihen nga kompanitë e AI-së, me qëllim skanimin e përmbajtjes së tyre, përpara se t’i bëjnë brum për letër.
Manley tha: “Teoria ime është se janë sasi të stërmëdha parash të kompanive të AI-së që po shpërdorohen.”
“The Washington Post” zbuloi këtë vit se Anthropic, një kompani kryesore e inteligjencës artificiale dhe zhvilluese e chatbot-it Claude, ka shpenzuar dhjetëra-miliona dollarë për blerjen e librave dhe prerjen e shpinës së tyre, në mënyrë që të mund të skanohej përmbajtja, përpara se librat të dërgoheshin për riciklim.
Anthropic tha: “Claude trajnohet me një përzierje të të dhënave të disponueshme publikisht në internet, grupeve të të dhënave të blera në mënyrë komerciale dhe të dhënave që i krijojmë vetë. Sigurimi i librave është një nga mënyrat e përdorura gjerësisht për trajnimin e modeleve të mëdha gjuhësore në të gjithë industrinë e AI-së. Asnjë nga programet tona për sigurimin e të dhënave nuk blen dhe shkatërron libra të rrallë ose antikuarë.”
Muajin e kaluar, faqja e lajmeve teknologjike 404 Media raportoi se ISBNdb, një bazë të dhënash për libra, po u thoshte librashitësve: “Të dhënat më të mira në botë për trajnimin e AI-së gjenden në rafte”, duke shtuar se librat e botuar para vitit 2022 përbënin materialin ideal për kompanitë e AI-së, sepse tekstet e tyre nuk ishin të “ndotur” nga materiale që mund të ishin krijuar nga chatbot-et.
ISBNdb tha se raporti bazohej në një faqe interneti që ishte një “test i interesit të tregut” dhe që ndërkohë ishte hequr.
Mjetet e AI-së, si chatbot-et, “trajnohen” me sasi të mëdha të dhënash për t’i ndihmuar të gjenerojnë përgjigje. Kjo kërkesë ka bërë që kompanitë teknologjike të kërkojnë material nga burime të reja për të ndërtuar modele të reja.
Librat e përdorur, disa prej të cilëve janë botuar dekada përpara se ChatGPT të përhapej dhe nuk janë të disponueshëm online, mund të përbëjnë një burim të ri të dhënash.
Një postim në një forum online për librashitësit, i parë nga “The Guardian”, thoshte: “Është për të ardhur keq që të gjithë këta libra janë të destinuar për trajnimin e AI-së dhe për këtë arsye do t’u hiqen kopertinat dhe përfundimisht do të përfundojnë të bëhen brum për letër.”
Postime të tjera shprehnin habi për porositë e çrregullta, ndërsa disa vinin në dyshim nëse ato mund të destinoheshin për trajnimin e AI-së, në rastet kur kërkesat lidheshin me libra që mund të gjendeshin falas në internet, si “Udhëtimet e Guliverit”, botuar në vitin 1726.
Porositë zakonisht bëhen përmes tregjeve online të librave, përfshirë Biblio dhe AbeBooks, në pronësi të Amazon-it. “The Guardian” i ka kontaktuar Biblio dhe AbeBooks për koment.






















