Editorial 14 May 2025, 16:20 Nga VNA

Analizë: Bashkëveprim dhe aksion i përbashkët politik. Si mund t’ia dalë faktori politik opozitar të mundë Edi Ramën

Ndaje në Whatsapp
Analizë: Bashkëveprim dhe aksion i përbashkët politik. Si

Nga Desada Metaj

Pas dështimit katastrofik, e vetmja gjë që mund ta ringrejë opozitën shqiptare është përmirësimi i vetes dhe zëvendësimi i retorikës agresive me alternativa konkrete. Nëse nuk shërbejnë fjalët e mia, atëherë arsyet për t’u bindur për këtë janë dështimet që pasuan lëvizjet revolucionare të vitit 2017, djegia e mandateve apo bojkoti i zgjedhjeve lokale dy vjet më pas. Të gjitha këto akte të forta dhe politikisht agresive e kanë shndërruar PD-në, si forca kryesore opozitare, në një rënie të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të elektoratit të djathtë, ku goditjen finale e dha përçarja pas aksionit të shpalljes “non grata” të Sali Berishës.

Nëse opozita do të zhytet në mjerimin e humbjes pa bërë një analizë të qartë dhe pa nxjerrë mësime nga katastrofa elektorale e 11 majit, ajo do të gjendet sërish në të njëjtat pozicione si sot, duke sharë dhe mallkuar Edi Ramën si shkaktar të situatës ku ndodhet. Dhe, për disa nga ato që akuzat që rendit, ka të drejtë. Por Edi Rama nuk mundet me revolucion shterp dhe retorikë agresive. Nëse shihen me kujdes shifrat, numrat e tij janë të pandryshueshëm në elektorat nga 2021 në 2025, ndërsa votat e opozitës janë të shpërndara në disa “kosha”, duke çuar dëm mundësinë për të nxjerrë më shumë deputetë edhe pse nuk ka grumbulliar pak vota. PS ka marrë më pak vota se në vitin 2021 por ka siguruar më shumë mandate. Pra, qartësisht, kodi aktual zgjedhor dhe ndarja territoriale janë ndër faktorët kryesorë që penalizojnë PD-në dhe partitë e reja për të marrë më shumë mandate.

Thënë ndryshe, Partia Demokratike, por edhe partitë e tjera parlamentare, pa humbur kohë duhet të nisin urgjentisht në shtator punën në parlament, në rrugë, në takime të çdo lloji për të mundësuar ndryshimin e kodit zgjedhor. A mund të ndodhë realisht ky ndryshim me një mazhorancë të konsoliduar nga Edi Rama? Duket e vështirë, por nëse PD dhe deputetët e dalë nga partitë e reja bashkohen dhe ushtrojnë presionin e duhur në bashkëpunim me ndërkombëtarët, diçka mund të arrihet. Rama nuk ka ndërmend të lëshojë pushtet, por nëse presioni është konstant dhe i vazhdueshëm, mund të arrihet një marrëveshje për një kod të ri zgjedhor që së paku siguron sistemin propocional kombëtar.

Por për të arritur këtë nevojitet që opozita të jetë e gjitha në bllok dhe në sinkron për një kërkesë, që është thelbi i përfaqësimit të vullnetit të votës së shqiptarëve, pasi me kodin ekzistues ky vullnet është i deformuar.

Përpos kodit dhe ndryshimit të tij, faktorët opozitarë në Shqipëri duhet të jenë të koordinuar në përballjet e tyre parlamentare me qeverinë dhe kryeministrin. Modeli më i mirë mbetet ai i komisionit parlamentar për inceneratorët. Nëse parlamenti shndërrohet sërish në një “koncert tallavaje” për shkak se çdo opozitar kërkon të duket protagonist, atëherë ky do të ishte një tjetër akt i deformimit të votës së shqiptarëve,ku përgjegjës do të ishte opozita.

Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë dhe zgjidhja është në dorë të atyre që kanë mandatin e votës së qytetarëve.Ndërveprimi i forcave opozitare, koordinimi i tyre për të qenë efikasë në përballjen parlamentare dhe jashtë saj, janë porta hyrëse për një strategji fituese ndaj Ramës dhe mazhorancës së tij, të stisur me manipulime dhe një kod zgjedhor sipas oreksit të tij.

Por, a do të mundet PD dhe partitë e reja të bashkëpunojnë për të maksimalizuar forcën goditëse të opozitës dhe për t’u përgatitur për zgjedhje ndoshta edhe të parakohshme? Ajo që ndodhi me to në aleancat parazgjedhore nuk është aspak tregues i mirë për të ardhmen. Inatet, akuzat dhe përplasjet pa shumë thelb shënuan “bashkëpunimin” e partive opozitare, duke përçarë edhe më shumë atë që ishte e përçarë. Por tashmë që numërimi i votave po shkon drejt fundit dhe secili ka mundur të shohë “sa i vlen lëkura”, është momenti që mëritë dhe inatet t’ia lënë vendin një bashkëpunimi konkret dhe efikas.

Ka nga ata që mendojnë se zgjedhjet sapo kanë mbaruar dhe është shumë herët për të folur për të ardhshmet. Por pakkush mendon se në fakt dita kur numërohet vota e fundit është fillimi për atë që vjen më pas. Largpamësia për të ardhmen është shenjë e qartë e lidershipit politik të një force politike. Kush do të ketë forcën për të menduar, vepruar dhe marrë angazhimin serioz që sot për të bashkuar çdo parti dhe faktor opozitar, për të ndërtuar një alternativë të re dhe bindëse, mund të shënojë veten në historinë e re të politikës shqiptare.

Përndryshe, protagonizmat selektivë dhe sporadikë janë veç suksese të momentit, që nuk të çojnë gjëkundi për një sukses politik afatgjatë.

Sa më shpejt dhe sa më qartë të nisë ky proces, aq më shumë do të rritet besimi i qytetarëve se në këtë vend ka ende politikanë që, përveç fjalëve, e kanë seriozisht dëshirën për ndryshim. Një bashkim mbi baza vullnetare, një afrim i profesionistëve të vërtetë, një program i qartë dhe i thjeshtë në dobi të qytetarëve – janë alternativa e vetme për të mundur Edi Ramën. Sa për mbrojtjen e votës, shembulli i partisë “Mundësia” dhe “Shqipëria Bëhet” janë qartësisht tregues se kur ka vullnet dhe angazhim serioz, asnjë votë nuk shkon dëm.

Video

Një këngëtare u fishkëllye nga tifozët pasi harroi fjalët e himnit kanadez përpara ndeshjes miqësore Kanada–Peru, të zhvilluar të shtunën, më 3 tetor, në Montreal. Ajo hezitoi që në nisje të interpretimit, duke shkaktuar konfuzion edhe mes futbollistëve vendas. Teksa përpiqej të vazhdonte, këngëtarja harroi sërish tekstin dhe nisi të qeshte në mënyrë nervoze. Nga tribunat u dëgjuan fishkëllima, ndërsa më pas u luajt versioni instrumental i himnit, të cilin e kënduan lojtarët dhe tifozët.

Një shembje masive shkëmbinjsh ndodhi në faqen veriore të majës Tofana di Dentro, pranë Cortina d’Ampezzo në Itali. Në momentin e shembjes, një helikopter i urgjencës po përfundonte shpëtimin e një turisteje 52-vjeçare, e cila kishte dëmtuar gjurin gjatë një ecjeje në Tofana di Rozes. Gruaja u transportua në spitalin Codivilla për të marrë ndihmë mjekësore. Më pas, helikopteri mori në bord dy pjesëtarë të Guardia di Finanza për të kontrolluar nga ajri zonën e prekur. Reja e dendur e pluhurit, e ngritur nga shembja, pengoi për një kohë të gjatë pamjen dhe vështirësoi verifikimet.

Një ushtarak rus ka rrëzuar një dron ukrainas në rajonin e Moskës, duke përdorur sistemin portativ kundërajror 9K38 Igla. Sipas raportimeve, droni dyshohet se ishte gati për sulm dhe po fluturonte drejt një objekti të industrisë së naftës, por u godit përpara se të arrinte objektivin. 9K38 Igla është një sistem raketor portativ rus, i projektuar për goditjen e objektivave ajrore në lartësi të ulëta.

Tensione para Kuvendit të Kosovës, policia përdor gaz lotsjellës Përshkallëzohet situata para Kuvendit të Kosovës. Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Kosovës është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka shtuar praninë rreth ndërtesës. Tensionet u rritën pasi protestuesit tentuan të pengonin largimin e deputetëve, duke kërkuar miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve ligjore që lidhen me Specialen në Hagë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme