Një aksident i rëndë rrugor u regjistrua mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:10, në aksin Dukat-Orikum, në zonën e Fushë Dukatit, ku një furgon që transportonte punëtorë doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal anësor.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti po transportonte punëtorë që dyshohet se ishin nisur nga Tirana drejt bregdetit. Hetimet paraprake tregojnë se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga përgjumja e drejtuesit të mjetit ose si pasojë e një problemi shëndetësor, të dyshuar si arrest kardiak, çka bëri që ai të humbte kontrollin e furgonit.
Si pasojë e aksidentit, Ilir Haka, 52 vjeç, humbi jetën në vendngjarje. Ndërkohë, Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, dhe Sako Rexha, rreth 22 vjeç, mbetën të plagosur dhe u transportuan me ambulancë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmë mjekësore.
Për shkak të deformimit të madh të furgonit, u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, të cilat prenë pjesë të mjetit për të nxjerrë të plagosurit që kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave dhe sediljeve. Trupi i viktimës u dërgua në morgun e spitalit.
Në vendin e ngjarjes ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.





















