
Një 17-vjeçar maroken ka rrezikuar jetën duke u fshehur poshtë autobusit të skuadrës së Real Valladolid, në përpjekje për të kaluar nga Ceuta drejt Spanjës kontinentale.
I mituri ishte futur në pjesën e poshtme të autobusit, pranë boshtit të rrotave, ndërsa mjeti ndodhej në portin e Ceutës. Autobusi hipi më pas në tragetin drejt Algeciras dhe 17-vjeçari qëndroi i fshehur gjatë gjithë kalimit detar, i cili zgjati rreth 45 minuta.
Por udhëtimi i tij vijoi edhe pasi autobusi zbriti nga trageti. Pasi mjeti kishte përshkuar rreth 100 kilometra në rrugë, lojtarët dhe pjesëtarët e stafit dëgjuan zhurma dhe thirrje që vinin nga poshtë autobusit.
Shoferi ndaloi mjetin dhe aty u zbulua 17-vjeçari, i cili kishte qëndruar i kapur në pjesën e poshtme të autobusit gjatë gjithë rrugës. Futbollistët dhe stafi e ndihmuan të dilte, ndërsa i dhanë ujë, ushqim dhe rroba.
Mjeku i Real Valladolid i dha ndihmën e parë, ndërsa i riu rezultoi me dëmtime të lehta, pavarësisht rrezikut të jashtëzakonshëm që kishte kaluar.
Zëvendëspresidenti i Valladolid, Jorge Santiago, tregoi se situata mund të kishte përfunduar në tragjedi nëse lojtarët nuk do të kishin dëgjuar zhurmat.
“Lojtarët dëgjuan disa zhurma, sikur dikush po godiste autobusin nga poshtë”, tregoi ai, duke theksuar se nëse i mituri do të kishte humbur forcën dhe do të binte në rrugë, mund të ishte shtypur nga autobusi.
Pas ndërhyrjes, 17-vjeçari iu dorëzua Guardia Civil dhe më pas shërbimeve për mbrojtjen e të miturve në Andaluzi. Sipas raportimeve, ai kishte synim të arrinte në një qendër pritjeje për të mitur.






















