Kronika 13 May 2025, 21:21 Nga VNA

“Toyota Auris”, SPAK kërkon 4 vjet burg për avokatin Radovan Çela

Ndaje në Whatsapp
“Toyota Auris”, SPAK kërkon 4 vjet burg për avokatin

Prokuroria e Posaçme kërkoi deklarimin fajtor të avokatit Radovan Çela, i akuzuar për korrupsion aktiv dhe ndikim të paligjshëm në çështjet penale që lidhen me dosjen “Toyota Auris”, duke kërkuar dënimin e tij përfundimtar me 4 vjet heqje lirie.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK paraqiti të martën më 13 maj konkluzionet përfundimtare në çështjen penale ndaj avokatit Radovan Çela, i akuzuar për korrupsion aktiv dhe ndikim të paligjshëm në çështjet penale që lidhen me dosjen e quajtur “Toyota Auris”, duke kërkuar deklarimin e tij fajtor. Prokurori Klodian Braho, në bashkim të dënimeve kërkoi masën përfundimtare me 6 vjet burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 4 vjet heqje lirie. Seanca u shty nga gjykata për t’i dhënë kohë mbrojtjes që të përgatisë konkluzionet përfundimtare.

Dosja penale në ngarkim të avokatit Radovan Çela, ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficeres së policisë gjyqësore, Eriona Daupaj, dhe biznesmenit Astrit Vladi, u dërgua për gjykim në fillim të muajit janar, ndërkohë që u nda çështja për të hetuar në vijim prokurorët, gjyqtarët apo funksionarët e tjerë të drejtësisë që dyshohet se lehtësuan akuzat për këto dosje.

Hetimet ndaj Zarkës dhe të pandehurve të tjerë u nisën bazuar në të dhënat e administruara nga aplikacionet SKY ECC. Sipas prokurorisë, është provuar fakti se katër të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë; sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.

Në vitet 2019 – 2020 kur janë kryer veprimet e kundraligjshme, Zarka ka qenë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Vlorës, e pandehura Eriona Daupaj ka qenë oficere e policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krime të Rënda dhe më pas në SPAK, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qenë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasit Alfred Vladi në çështjen “Toyota Auris” – procedim që u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 të 3.4 milionë eurove të thata të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.

Prokurori Zarka ishte i vetmi që nuk iu shmang arrestimit, ndërsa tre të pandehurit e tjerë u larguan. Zarka u ndalua më 29 korrik të vitit të kaluar dhe gjykimi ndaj tij filloi më herët. Për Zarkën SPAK kërkoi më 15 prill dënimin me 3 vjet burg. Radovan Çela u dorëzua në fillim të muajit mars dhe për rrjedhojë filloi edhe ndaj tij gjykimi. Mbeten në arrati ish-oficerja e policisë gjyqësore, Eriona Daupaj dhe biznesmeni Astrit Vladi./BIRN/

 

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme