Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kryeministri britanik Keir Starmer do të largohet nga posti i tij, duke shtuar më tej spekulimet që kanë qarkulluar ditët e fundit në mediat britanike.
“Keir Starmer do të japë dorëheqjen si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar”, u shpreh Trump, pa dhënë detaje nëse disponon informacione konkrete lidhur me të ardhmen politike të liderit britanik.
Sipas mediave në Mbretërinë e Bashkuar, po qarkullojnë zëra se Starmer mund të shpallë një afat kohor për largimin e tij që të hënën. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga zyra e kryeministrit.
Trump ka qenë kritik ndaj politikave të Starmer edhe më parë, duke e akuzuar atë për dështim në menaxhimin e dy çështjeve që ai i konsideron thelbësore.
“Ai dështoi keq në dy tema shumë të rëndësishme, emigracioni dhe energjia”, deklaroi presidenti amerikan.
Ndërkohë, raportimet në mediat britanike sugjerojnë se mbështetja brenda kampit qeverisës po lëviz drejt Andy Burnham, kryetarit të bashkisë së Manchesterit, i cili shihet si një nga figurat kryesore që mund të luajë rol në zhvillimet e ardhshme politike.
Pavarësisht spekulimeve, nuk ka ende një njoftim zyrtar që konfirmon dorëheqjen e Starmer nga posti i kryeministrit.






















