Mbreti Charles do të bëhet monarku i parë britanik në kohët moderne që do të bëjë publike shumën e taksave personale që paguan. Të dhënat do të publikohen të enjten si pjesë e raportit vjetor financiar të familjes mbretërore, në një vendim që burime të Pallatit Buckingham thonë se është marrë personalisht nga vetë mbreti.
Sipas Pallatit Buckingham, ky hap është pjesë e përpjekjeve për modernizim dhe rritje të transparencës, me qëllim që publiku të ketë një kuptim më të gjerë të llogaridhënies së institucionit mbretëror.
Vendimi vjen gjithashtu pas kërkesave për më shumë hapje lidhur me financat e familjes mbretërore, pas skandaleve që përfshinë Princin Andrew. Publikimi do të përfshijë taksat e paguara nga Mbreti Charles për vitin financiar 2024-2025, përfshirë të ardhurat nga Dukati i Lancasterit, investimet personale dhe fitimet nga pronat private si Sandringham dhe Balmoral.
Edhe pse monarkët britanikë nuk janë të detyruar të paguajnë tatim mbi të ardhurat, tatim mbi trashëgiminë apo tatim mbi fitimet kapitale, Mbreti Charles paguan vullnetarisht tatim mbi të ardhurat dhe mbi fitimet nga shitja e aseteve private. Kur mbante titullin Princ i Uellsit, ai kishte bërë publike gjithashtu detaje mbi taksat që paguante.






















