
Kryeministri i Spanjës dhe ministri i Mbrojtjes i Belgjikës kanë dalë në mbështetje të kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke kritikuar ashpër komentet e Presidentit amerikan Donald Trump ndaj saj.
Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, reagoi në platformën X duke kërkuar ndalimin e “fyerjeve nga Shtëpia e Bardhë”, të cilat sipas tij “e përçajnë Perëndimin dhe nuk sjellin asnjë rezultat”.
“Ata duhet ta lënë të qetë Giorgia Melonin. Mjaft!”, shkroi ai.
Mbështetje për Melonin shprehu edhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, i cili pas samitit të liderëve të Bashkimit Europian në Bruksel deklaroi “solidaritet të plotë” me homologen italiane.
“Ky sulm nuk është as politik dhe as personal, madje nuk di si ta përshkruaj”, tha Sanchez.
Reagimet erdhën pasi Meloni hodhi poshtë deklaratat e Trump, i cili pretendoi se ajo i ishte “lutur” për të bërë një foto gjatë samitit të fundit të G7.
“Ajo më luti të bëja një foto me të. E donte shumë atë foto. Nuk do ta kisha bërë, por më erdhi keq për të”, citohet të ketë thënë Trump nga televizioni italian La7.
Meloni iu përgjigj menjëherë përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, duke i cilësuar deklaratat e presidentit amerikan si “plotësisht të sajuara”.
“Unë dhe Italia nuk lypim kurrë”, theksoi ajo.
Polemika ka shkaktuar reagime të forta edhe në politikën italiane. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani anuloi një vizitë të planifikuar në Shtetet e Bashkuara, ndërsa komentet e Trump i quajti “serioze dhe fyese”.
Ky episod duket se sinjalizon një tension në rritje mes Romës dhe Uashingtonit, pavarësisht marrëdhënieve të afërta që dy liderët kishin më herët. Kujtojmë se Meloni ishte e vetmja udhëheqëse europiane e ftuar në inaugurimin e mandatit të dytë të Trump vitin e kaluar.






















