Marrëdhëniet mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë hyrë në një moment tensioni, pasi ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, anuloi vizitën e planifikuar në Uashington në shenjë proteste ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për kryeministren Giorgia Meloni.
Vendimi erdhi pasi Trump pretendoi se Meloni i ishte “lutur” për të bërë një fotografi me të gjatë samitit të G7, duke shtuar se kishte pranuar vetëm “nga keqardhja”.
Kryeministrja italiane i hodhi poshtë menjëherë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të sajuara.
Ndërkohë, Tajani reagoi ashpër ndaj komenteve të presidentit amerikan, duke i konsideruar ato “serioze dhe fyese”, jo vetëm për Melonin, por për të gjithë Italinë. Si pasojë, ai vendosi të anulonte vizitën zyrtare në SHBA të planifikuar për javën e ardhshme.
Përplasja shënon një tjetër episod tensioni mes Trumpit dhe Melonit, marrëdhëniet e të cilëve janë ftohur muajt e fundit për shkak të mosmarrëveshjeve mbi konfliktin me Iranin dhe disa qëndrimeve të presidentit amerikan që janë kritikuar publikisht nga Roma.
Anulimi i vizitës së kryediplomatit italian konsiderohet si sinjali më i fortë diplomatik i Italisë ndaj Uashingtonit në muajt e fundit.






















