
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të votojnë në zgjedhjet e nëntorit, duke i nxitur që ta konsiderojnë garën sikur edhe ai vetë të ishte kandidat.
“Bëni sikur po kandidoj, ju lutem. Thjesht bëni sikur, sepse unë jam në fletëvotim”, deklaroi Trump, duke kërkuar mobilizimin e elektoratit të tij.
Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se, sipas tij, një humbje e republikanëve mund t'u hapte rrugën demokratëve për të nisur një tjetër procedurë “impeachment” ndaj tij.
“Nëse nuk fitojmë, ata do të përfundojnë duke më shkarkuar përmes procedurës së impeachment”, u shpreh Trump.
Procedura e “impeachment” nis në Dhomën e Përfaqësuesve, ku nevojitet shumica për ngritjen zyrtare të akuzave ndaj presidentit. Çështja më pas kalon në Senat, ku për shkarkimin nga detyra kërkohet vota e dy të tretave të senatorëve.






















