Kronika 24 August 2026, 10:39 Nga VNA

Tragjedi në Malishevë/ Gruaja shtatzënë vritet me armë, Prokuroria dyshon bashkëshortin

Ndaje në Whatsapp
Tragjedi në Malishevë/ Gruaja shtatzënë vritet me armë,

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua shtatzënë ka humbur jetën pasi është plagosur me armë zjarri. Prokuroria Themelore në Gjakovë bën të ditur se për vrasjen dyshohet bashkëshorti i viktimës, i cili gjithashtu është plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Sipas Prokurorisë, gruaja u transportua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe masave reanimatore, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Viktima ishte shtatzënë në javën e 34-të.

“Një person i gjinisë femërore, bashkëshortja e personit të dyshuar, si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në QKUK”, njoftoi Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Edhe bashkëshorti i saj ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim në QKUK. Sipas informacionit të përcjellë nga Prokuroria, gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rëndë dhe kritike për jetën.

Ende nuk janë bërë të ditura të gjitha rrethanat dhe dinamika e të shtënave, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur në banesën e çiftit.

Prokurori i Shtetit ka dalë në vendngjarje, ndërsa me urdhër të tij trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohet autopsisë.

Për ngjarjen është iniciuar rasti për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe sigurimin e provave që mund të përcaktojnë dinamikën dhe përgjegjësitë për rastin.

Video

Prindërit në Gaza janë paralajmëruar që të mos lejojnë fëmijët e tyre të ngrenë balona në qiell, pas tensioneve të reja me Izraelin. Paralajmërimi erdhi pasi disa balona të ngritura nga fëmijët në enklavën e shkatërruar nga lufta kaluan kufirin dhe përfunduan mbi fshatra izraelite. Autoritetet izraelite kanë kërcënuar me një reagim të fuqishëm nëse raste të tilla vazhdojnë. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim se edhe një aktivitet i zakonshëm i fëmijëve mund të kthehet në burim të ri tensioni.

28 tonë domate dhe mijëra njerëz nga e gjithë bota! Rrugët e Buñol-it në Spanjë u kthyen në një lumë të kuq gjatë “La Tomatina”, festivalit të famshëm ku pjesëmarrësit zhvillojnë një betejë gjigante me domate. Festa që nisi nga një sherr spontan në vitin 1945 është sot një atraksion ndërkombëtar që sjell turistë nga e gjithë bota. Historia e plotë në linkun në koment⬇️

Një katastrofë e rëndë ka goditur Nepalin pranë kufirit me Tibetin, ku një masë e fuqishme uji, balte dhe shkëmbinjsh përfshiu disa zona. Autoritetet nepaleze njoftuan se deri mbrëmjen e së mërkurës janë gjetur trupat e 157 viktimave, ndërsa qindra persona të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mes të zhdukurve raportohet se janë edhe qindra turistë, shumë prej tyre shtetas të huaj. Përmbytjet kanë shkatërruar shtëpi, automjete, rrugë, ura dhe infrastrukturë tjetër në zonat e prekura. Pamjet nga vendngjarja tregojnë fuqinë e rrjedhës, e cila ka marrë përpara gjithçka që ka gjetur në rrugën e saj. Të dhënat paraprake sugjerojnë se katastrofa mund të lidhet me shembjen e një mase akulli dhe shkëmbinjsh nga një akullnajë, ndërsa autoritetet po hetojnë shkakun e saktë.

Ergys Agasi del nga ambientet e Policisë, niset drejt Bllokut të Sigurisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme