Opinion 11 Prill 2025, 11:19 Nga VNA

Të pretendosh të (pa) mundurën

Ndaje në Whatsapp

DITMIR BUSHATI

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, njëkohësisht Zëvendëspresidente e Komisionit Europian, Kaja Kallas, teksa u pyet nga gazetarët në konferencën për shtyp në Tiranë mbi mundësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE në vitin 2030, theksoi se: “Është një objektiv realist, por në mënyrë që të përmbushet, duhen ndërmarrë disa hapa, dhe Shqipëria duhet të miratojë e zbatojë reformat në praktikë”.

Në vizitën e parë në Shqipëri, në kuadër të një udhëtimi rajonal, Kaja Kallas na kujtoi me mirësjellje dy prej aspekteve më elementare të procesit të zgjerimit. E para, ky proces ka tre aktorë: vendet anëtare të BE-së (vendimmarrësit); Komisioni Europian (forca shtytëse e procesit të integrimit europian dhe në të njëjtën kohë miku më i afërt i vendit kandidat); vendi kandidat që synon anëtarësimin (Shqipëria). E dyta, reformat mund të përmbushen vetëm duke krijuar një klimë politike gjithëpërfshirëse. Është rasti të kujtoj se, në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, krahas rrethanave gjeopolitike, mirëkuptimi politik për miratimin dhe zbatimin e reformave në fushën e sigurisë dhe shtetit të së drejtës ishin vendimtare. Në kuadër të anëtarësimit në BE, kjo merr një vlerë edhe më të madhe, pasi në dallim prej anëtarësimit në NATO, ky proces ka një ndikim të drejtpërdrejtë thuajse në të gjitha fushat e jetës. Anëtarësimi në BE është një objektiv kombëtar që shtrihet përtej partive politike.

Aq më tepër në kushtet e Shqipërisë ku lidhja me Europën ka qenë dhe mbetet organike. Europa është një lloj vatre shpirtërore e shqiptarëve që nga Balshajt e këndej. Apo siç thoshte Ismail Kadare: “një gjendje natyrale e jona”. Kaja Kallas duhet vlerësuar për vërtetësinë me të cilën përcolli mesazhet, çka nuk është gjithnjë tipar dallues për zyrtarët e Brukselit, duke mos ushqyer iluzione të rrejshme, për të cilat populli shqiptar nuk ka nevojë. Kujtoj këtu zyrtarët europianë, që menjëherë pas publikimit të Strategjisë së Zgjerimit të vitit 2018, përcaktuan vitin 2025 si një afat të mundshëm për anëtarësimin e Malit të Zi dhe Serbisë. Parashikime të tilla fjalë-ëmbla pa efekte në praktikë nuk kanë nevojë për shtjellime të mëtejshme. Për arsye gjeopolitike, e lidhur veçanërisht me luftën në Ukrainë, zgjerimi i BE-së është rikthyer në agjendën politike.

Megjithatë, materializimi i këtij procesi nuk është një çështje e mbyllur, pasi BE-ja gjithashtu përballet me vështirësi të panumërta në administrimin e punëve të brendshme. Ndaj, me të drejtë, Kaja Kallas iu referua hapave që duhen ndërmarrë në këtë proces, duke nënkuptuar së pari vendet anëtare të BE-së. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë se vendet anëtare nuk do të pranojnë anëtarësime të reja vetëm për arsye gjeopolitike, duke shpërfillur përmbushjen e reformave të shtetit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë.

NËSE NUK DO IA DALIN ATY, NUK DO IA DALIN ASKUND

Edhe pse ka më shumë se dy vjet që vendet anëtare të BE-së i kanë kërkuar Komisionit Europian të hartojë një dokument për reformimin e BE-së nën dritën e procesit të zgjerimit, ato nuk janë gati ende për këtë diskutim dhe as për projektin fundor të BE-së. Jo të gjitha vendet anëtare të BE-së ndajnë të njëjtat ide se si duhet bërë BE-ja një organizatë funksionale për të mundësuar anëtarësimin e disa vendeve kandidate, përfshirë edhe vendin tonë, në kontekstin e ri gjeopolitik, ku i duhet të veprojë si aktor i rëndësishëm global, krahas SHBA-ve, Kinës, Rusisë dhe Indisë.

Shembujt e Francës dhe Gjermanisë, që tradicionalisht konsiderohen si forca shtytëse e BE-së, janë pasqyra më e mirë e këtij realiteti. Kështu, pak javë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Presidenti francez Emmanuel Macron parashtroi vizionin e tij për krijimin e Komunitetit Politik Europian, me bindjen se, “BE-ja nuk mund të mbetet platforma e vetme për të strukturuar kontinentin europian”. Një ide e ricikluar kjo nga ish-Presidenti francez, Francois Mitterrand, pas rënies së Murit të Berlinit, që synonte të shmangte një zgjerim masiv dhe të shpejtë të BE-së me shtete të sapodala nga zgjedha komuniste. Në të dyja rastet shqetësimi i Francës në thelb ka të bëjë me shmangien e procesit të zgjerimit. Për këtë arsye, Komuniteti Politik Europian tenton të krijojë “intimitetin strategjik” (intimité stratégique) ndërmjet shteteve europiane përballë agresionit rus. Por, në fakt është kufizuar në një platformë dialogu, ku shtetet mund të diskutojnë gjëra bashkërisht, edhe pse nuk ndajnë vlera e qëllime të përbashkëta, larg së qeni një forumi europian ku merren vendime.

Nga ana tjetër, programi i qeverisë gjermane në ikje zotohej për ‘përshpejtim’ të procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Katër vite më pas është e pamundur që ky zotim të konsiderohet i përmbushur. Ndërsa në marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës mes CDU/CSU dhe social-demokratëve gjermanë, zgjerimi konsiderohet si “një domosdoshmëri gjeopolitike” dhe mbështetet qasja e “integrimit gradual”, por nuk ka asnjë angazhim shoqëruar me afate për përfundimin e procesit të negociatave dhe pranimin e shteteve të reja. Në tekstin e marrëveshjes, konsolidimi i BE-së përmes reformimit të saj përcaktohet si parakusht për çdo zgjerim të mundshëm. Jo të gjitha vendet anëtare të BE-së janë të gatshme të kontribuojnë financiarisht apo të heqin dorë nga përfitimet financiare në një BE më të madhe.

Për këtë arsye, në raportin e hartuar nga ish-kryeministri italian Enrico Letta, “Për të ardhmen e tregut të brendshëm të BE-së”, propozohet një mekanizëm solidariteti për zgjerimin, që do të zbuste frikërat e vendeve që janë përfituese neto, në një anëtarësim të mundshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë. Jo të gjitha vendet anëtare të BE-së janë në një mendje nëse mund të bëhen pjesë e BE-së vendet, të cilat janë të pushtuara apo në gjendje konflikti të papërfunduar. Jo të gjitha vendet anëtare të BE-së janë të gatshme të sakrifikojnë paketat financiare të mirëqenies shoqërore dhe të shpenzojnë më shumë për sigurinë. Vlen të përmendet fakti se në raportin e shumëdiskutuar të ishkryeministrit italian Mario Draghi, “Për të ardhmen e konkurrueshmërisë së Europës”, Ballkani Perëndimor nuk përmendet aspak për sa i përket procesit të zgjerimit. Madje, fjala ‘zgjerim’ përdoret në kohën e shkuar dhe jo në të ardhmen. Vlera prej tetëqind miliardë euro përmes së cilës Draghi mendon se Europa do të bëhet konkurruese, është shumë e madhe krahasuar me vlerën gjashtë miliardë euro që BE-ja ofron për Ballkanin Perëndimor përmes Planit të Rritjes, çka nuk zbut hendekun zhvillimor mes BE-së dhe vendeve të rajonit. Këtë vit nis puna për hartimin e buxhetit shumëvjeçar të BE-së, i cili është gjithashtu një tregues i gatishmërisë politike për zgjerimin. Mbetet të shihet nëse në këtë buxhet do të harmonizohen propozimet e Draghi-t dhe Letta-s për vendet e BE-së dhe ato që synojnë anëtarësimin.

*Analiza është botim i Fondacionit “Friedrich Ebert”

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme