Tapiceria e Bayeux rrëfen një histori të përgjakshme, dhe herë pas here të pahijshme, të pushtimit norman të Anglisë. Kryevepra e shekullit XI është qëndisur mbi rreth 70 metra pëlhurë liri dhe tregon një histori premtimesh të thyera, lakmie dhe agresioni, që përfundon me vdekjen e mbretit Harold II në Betejën e Hastingsit.
Pas gati 1.000 vjetësh, kjo vepër ikonike po rikthehet nga Normandia, në Francë, në Angli, vendi ku besohet se u qëndis në vitet 1070. Nga shtatori, ajo do të ekspozohet në British Museum.
Sipas BBC Culture, kjo vepër mund të lexohet edhe si një version mesjetar i asaj që sot quhet “manosphere”: një botë ideologjike e ndërtuar rreth hipermaskulinitetit, përvojës mashkullore dhe kultit të forcës. Në këtë botë, madhësia ka rëndësi.
Në shoqërinë e shekullit XI që paraqet tapiceria, në qendër janë burrat dhe veprimet e tyre. Një e treta e burrave në vepër janë të armatosur, ndërsa të tjerë shfaqen duke prerë pemë, duke ndërtuar anije apo duke ngritur struktura. Gjuetarët tundin shkopinj të mëdhenj mbi kokë, ndërsa atmosfera e përgjithshme paralajmëron përplasjen mes dy figurave dominuese: William, Duka i Normandisë, dhe Harold Godwinson.
Historiani i kulturës mesjetare angleze, Christopher Monk, e përshkruan skenën si një nga më të mbushurat me testosteron që mund të gjenden. Dhuna, burrëria demonstrative dhe humori i ashpër shfaqen si pjesë e gjuhës politike të kohës.
Një nga motivet më të përsëritura në tapiceri është organi gjenital mashkullor. Në vitin 2018, historiani George Garnett, profesor i historisë mesjetare në Universitetin e Oksfordit, numëroi 93 paraqitje të tilla në vepër. Shumica u përkisnin kuajve, ndërsa disa burrave.
Sipas studiuesve, përdorimi i lakuriqësisë dhe i organeve gjenitale mashkullore, qoftë te njerëzit apo te kuajt, shërben si një kod për pushtetin politik dhe burrërinë agresive. Në historinë e tapicerisë, viriliteti barazohet me pushtetin. Edhe kali më imponues i paraqitur aty është ai që i dhurohet William-it në prag të betejës, ndërsa kali i Haroldit vjen i dyti, duke e paraqitur atë si një rival të denjë.
Në artin e shekullit XI, lakuriqësia grafike nuk ishte e pazakontë. Studiuesit thonë se është krejt e mundur që këto detaje të jenë qëndisur nga murgesha. Por kjo nuk e zbeh mesazhin: në shoqërinë elitare mesjetare, burrat ishin kryesisht ata që mbanin dhe ushtronin pushtetin politik.
Gratë në tapiceri janë të pakta. Sipas historianes Emily Joan Ward, kjo ndodh sepse rrëfimi përqendrohet te veprimi mashkullor, sidomos te lufta. Megjithatë, gratë nuk janë krejt të parëndësishme. Ato shfaqen në momente kyçe, si shenja emocionale apo si tregues të ndryshimit të pushtetit.
Mbretëresha Edith, një figurë me ndikim në politikën e oborrit, shfaqet duke qarë pranë bashkëshortit të saj, Edward the Confessor, ndërsa ai jep frymën e fundit. Në një tjetër skenë, një grua me fëmijën e saj largohet ndërsa ushtarët normanë i vënë zjarrin shtëpisë. Kjo kujton se lufta nuk është vetëm ngjarje e burrave në fushëbetejë, por prek edhe civilët dhe familjet.
Në kufijtë dekorativë të tapicerisë, sipër dhe poshtë rrëfimit kryesor, gjenden skena më të fshehta dhe më kritike. Aty shfaqen figura femërore të lidhura me dhunën seksuale, joshjen, tradhtinë dhe betimin e thyer të Haroldit.
Një nga figurat më misterioze është Aelfgyva. Një prift me mantel të gjelbër duket sikur zgjat dorën drejt fytyrës së saj, ndërsa poshtë, në kufirin dekorativ, një burrë lakuriq me organe gjenitale të ekzagjeruara imiton të njëjtin gjest. Studiuesit kanë dhënë interpretime të ndryshme për këtë skenë. Një prej tyre e sheh si një moment mesjetar denoncimi të ngacmimit seksual.
BBC vë në dukje se, edhe pse gratë duken të përjashtuara nga rrëfimi kryesor, vetë ekzistenca e tapicerisë varet nga puna e tyre. Ato që e qëndisën mund të kenë punuar mbi një dizajn të paracaktuar, por kjo nuk do të thotë se çdo detaj u ishte diktuar. Ka mundësi që në kufijtë e veprës të kenë lënë komente të koduara, humor të hidhur apo edhe tallje me burrat luftarakë që dominojnë historinë.
Në shekullin XIX, ndjeshmëria viktoriane i zbuti disa prej elementeve më të pahijshme të tapicerisë. Në një kopje të vitit 1885, të realizuar nga 35 gra të Leek Embroidery Society, kuajt nuk shfaqen më me të njëjtat detaje anatomike të ekzagjeruara, ndërsa burri lakuriq në kufi paraqitet i veshur me pantallona të shkurtra.
Por kjo kopje bëri edhe diçka tjetër të rëndësishme: shtoi një kufi ku çdo qëndistare vendosi emrin e saj. Në këtë mënyrë, gratë krijuese u bënë të dukshme në një histori që tradicionalisht kishte folur pothuajse vetëm për pushtetin e burrave.
Në fund, Tapiceria e Bayeux mund të tregojë një histori burrash, pushteti, dhune dhe viriliteti, por ajo ekziston falë punës së grave që historia shpesh i ka lënë jashtë.






















