Lërini fëmijët të mërziten dhe mos planifikoni çdo minutë, pse ekspertët këshillojnë një “shtator të ngadaltë”
Shtatori shpesh vjen me një listë të gjatë premtimesh: rikthim në palestër, dietë më të mirë, shtëpi më të organizuar, rezultate më të larta në punë dhe një kalendar të mbushur me aktivitete për fëmijët.
Por pikërisht kjo dëshirë për ta “rregulluar” jetën pas verës mund të përfundojë duke na bërë më të lodhur.
“The Guardian” sjell konceptin e “Slow September”, një mënyrë për ta nisur sezonin duke hequr dorë nga ideja se çdo minutë duhet shfrytëzuar dhe çdo aktivitet duhet të ketë një rezultat. Ekspertët sugjerojnë më shumë hapësirë për pushim, biseda spontane dhe aktivitete që bëhen thjesht për kënaqësi.
Një nga këshillat që bie më shumë në sy lidhet me fëmijët: lërini të mërziten.
Prindërit shpesh ndihen të detyruar t’u organizojnë fëmijëve aktivitet pas aktiviteti, ndërsa koha pa një plan shihet si diçka që duhet mbushur menjëherë. Por mërzia mund t’i shtyjë fëmijët të shpikin vetë lojëra, të përdorin imagjinatën dhe të mësojnë të argëtohen pa stimulim të vazhdueshëm.
Edhe të rriturve u sugjerohet diçka që në jetën moderne duket pothuajse e pazakontë: të bëjnë gjëra pa synuar të bëhen më të mirë në to. Të lexojnë, gatuajnë, ecin apo merren me një hobi pa e kthyer menjëherë në objektiv, sfidë ose mënyrë për të qenë më produktivë.
Një tjetër ide është të flasim më shumë me njerëz që nuk i njohim. Një bisedë e shkurtër me dikë në kafene, autobus apo gjatë një shëtitjeje mund të krijojë ndjesinë e lidhjes sociale që humbet kur pjesën më të madhe të kohës e kalojmë duke parë telefonin.
Ngadalësimi mund të futet edhe në punë. Në vend që një detyrë të pasohet menjëherë nga tjetra, këshillohet të bëhen pushime të vogla, duke i dhënë trurit mundësinë të rikuperojë vëmendjen.
Ideja e “Slow September” nuk është të bëjmë më pak nga detyrimi apo të heqim dorë nga ambiciet. Është të mos e kthejmë çdo pjesë të jetës në një projekt që duhet optimizuar.
Në një periudhë kur edhe pushimi mund të matet me aplikacione, fëmijëve u programohet pothuajse çdo orë dhe hobet kthehen në objektiva, mesazhi është shumë më i thjeshtë: ndonjëherë të mos bësh asgjë është pikërisht ajo që të duhet.






















