Lifestyle 6 September 2026, 21:02 Nga VNA

Të turpshëm apo ekstrovertë? Personaliteti varet edhe nga ADN-ja

Ndaje në Whatsapp
Të turpshëm apo ekstrovertë? Personaliteti varet edhe nga ADN-ja

Jemi pesimistë apo jo, të turpshëm apo të hapur me të tjerët? Sipas një studimi të ri, tiparet e personalitetit tonë ndikohen edhe nga ADN-ja.

Një analizë mbi më shumë se 1 milion persona, e publikuar në revistën shkencore “Nature”, ka identifikuar mbi 1.260 variante gjenetike të lidhura me tipare të personalitetit si shoqërueshmëria, krijimtaria dhe empatia. Më shumë se 800 prej këtyre varianteve nuk ishin lidhur më parë me këta faktorë.

Studimi, i koordinuar nga Michigan State University, thekson se këto variante gjenetike, sidomos kur veprojnë së bashku, mund të ndikojnë në tiparet e sjelljes. Megjithatë, autorët nënvizojnë se mjedisi ku rritemi dhe jetojmë ka ende një ndikim më të madh në personalitetin e secilit.

Në studim morën pjesë edhe studiues italianë nga Instituti i Kërkimeve Gjenetike dhe Biomjekësore, Instituti i Gjenetikës dhe Biofizikës “Adriano Buzzati Traverso” i Këshillit Kombëtar të Kërkimeve, si edhe Universiteti i Sassarit.

Duke analizuar ADN-në dhe përgjigjet e pjesëmarrësve në pyetësorë, studiuesit identifikuan variante gjenetike të lidhura me pesë kategoritë kryesore të personalitetit: ekstroversionin, që lidhet me shkallën e shoqërueshmërisë ose rezervimit; hapjen mendore, që reflekton kureshtjen dhe interesin për përvoja të reja; ndërgjegjshmërinë, që lidhet me vetëdisiplinën dhe besueshmërinë; pëlqyeshmërinë, që lidhet me empatinë dhe dhembshurinë; si edhe neuroticizmin, pra mënyrën si menaxhojmë stresin dhe emocionet negative.

Sipas studimit, asnjë variant i vetëm gjenetik nuk e përcakton personalitetin. Çdo variant ka vetëm një ndikim shumë të vogël, por kombinimi i shumë varianteve mund të ketë një efekt më të dukshëm.

Ekspertët theksojnë se nuk ekziston, për shembull, “gjeni i agresivitetit”. Ka një grup variantesh gjenetike që mund të rrisin prirjen për sjellje të caktuara, por këto ndërveprojnë vazhdimisht me mjedisin. Një fëmijë me prirje gjenetike drejt agresivitetit, nëse rritet në një ambient pozitiv, mund të bëhet një individ i qetë. Në të kundërt, i njëjti profil gjenetik në një mjedis armiqësor mund të shoqërohet me sjellje më agresive.

Studimi vë në dukje edhe se variantet gjenetike të lidhura me hapjen ndaj përvojave të reja mund të rrisin mundësinë që një person të zhvendoset në një qytet ose lagje më kozmopolite. Ndërkohë, mjedisi i ri mund ta forcojë më tej këtë tipar.

Të njëjtat variante të lidhura me personalitetin duket se ndikojnë pjesërisht edhe në faktorë të tjerë, si shëndeti fizik dhe mendor, jetëgjatësia, niveli i arsimimit dhe karriera. Për shembull, njerëzit shumë të ndërgjegjshëm priren të jenë më aktivë gjatë ditës, ndërsa ekstroversioni dhe hapja mendore lidhen më shpesh me prirjen për të qëndruar zgjuar deri vonë.

Psikologët dhe psikiatrit e njohin prej kohësh rolin e komponentit gjenetik në personalitet, por theksojnë se ai nuk është fat i shkruar. Personaliteti është rezultat i ndërveprimit të vazhdueshëm mes natyrës dhe mjedisit, që nis që në jetën para lindjes dhe vazhdon gjatë gjithë jetës.

Ekspertët nënvizojnë se përvojat, edukimi, studimet dhe psikoterapia mund të ndikojnë në mënyrën si formohemi. Truri është plastik, sidomos në dekadat e para të jetës, dhe për këtë arsye mjedisi i hershëm, tre vitet e para të jetës dhe më pas adoleshenca, konsiderohen periudha shumë të rëndësishme për zhvillimin e personalitetit.

Video

Ja, kështu do ta zbukurojmë edhe Shqipërinë

Pas sherrit, Kadastra kujtohet për Palasën. Ekipet do të trokasin “derë më derë” për të verifikuar pronat, por pyetja mbetet: pse pikërisht tani? Në Palasë nuk mungojnë vetëm dokumentet, por përplasen edhe pretendimet, mbivendosjet dhe interesat e mëdha mbi tokën. A do të hapen edhe dosjet që tregojnë si u krijua ky kaos pronësor?

Vullkani Anak Krakatau, në Ngushticën Sunda të Indonezisë, vijon të jetë aktiv pas një shpërthimi të fuqishëm që çoi një kolonë hiri deri në rreth 15 kilometra lartësi dhe shkaktoi kaos në trafikun ajror në pjesën perëndimore të vendit. Shpërthimet e fuqishme të ditëve të fundit detyruan autoritetet të mbyllnin përkohësisht tetë aeroporte, përfshirë aeroportin kryesor ndërkombëtar të Xhakartës, Soekarno-Hatta. Mijëra fluturime u anuluan ose u vonuan, ndërsa qindra mijëra pasagjerë u prekën nga situata. Hiri vullkanik përbën rrezik serioz për avionët, pasi mund të dëmtojë motorët dhe sistemet e tyre.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme