
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të përballet në muajin mars me një sfidë historike, që përveç prestigjit sportiv mbart edhe një peshë të konsiderueshme financiare.
Këshilli i FIFA-s, i mbledhur në Doha të Katarit me rastin e finales së Kupës Interkontinentale, ka miratuar një pagesë rekord prej 10 milionë eurosh për çdo kombëtare që siguron pjesëmarrjen në Botërorin 2026.
Bëhet fjalë për shifrën më të lartë të akorduar ndonjëherë për ekipet përfaqësuese në një kompeticion të tillë, ndërsa janë rritur gjithashtu edhe shpërblimet për çdo fazë të kaluar në turne, duke arritur deri në 50 milionë euro shtesë për kombëtaren që shpallet Kampione e Botës.
Kuqezinjtë do të luajnë për një biletë në Kampionatin Botëror 2026, me objektivin për të kapërcyer fillimisht Poloninë dhe më pas fituesen e çiftit Ukrainë–Suedi, në përpjekje për të siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në turneun më të rëndësishëm për kombëtaret në rang botëror.
Paralelisht me rëndësinë historike të këtij kualifikimi të mundshëm, Shqipëria do të kishte në lojë edhe një shpërblim financiar të konsiderueshëm.






















