Java e 33-të e Kategorisë Superiore nis me një përballje të zjarrtë në kryeqytet, ku Tirana dhe Partizani do të përballen në derbin e madh të Shqipërisë, një ndeshje që këtë sezon ka një peshë ndryshe nga vitet e kaluara.
Në vend që të jetë një duel direkt për titullin kampion, sfida vjen në një moment kur të dyja skuadrat po kalojnë vështirësi dhe kërkojnë më shumë stabilitet se sa garën për trofe. Tirana zbret në fushë nën presion të madh, pasi renditja e mban pranë zonës së rrezikut. Për bardheblutë, një fitore në derbi do të ishte jetike, jo vetëm për moralin, por edhe për të siguruar distancim nga fundi i tabelës dhe për të qetësuar situatën në kamp.
Nga ana tjetër, Partizani po kalon një periudhë jo të mirë rezultatesh, me pikë të humbura në javët e fundit që kanë ndikuar në objektivat sezonalë. Të kuqtë e shohin këtë ndeshje si një mundësi të rëndësishme për t’u rikthyer te fitorja dhe për të mbajtur gjallë shpresat për “Final Four” dhe pjesëmarrjen në garat europiane.






















