Një nga vajzat e legjendës së futbollit Diego Maradona, Gianinna Maradona, ka kritikuar ashpër neurokirurgun Leopoldo Luque, i cili në kohën e vdekjes së ish-futbollistit konsiderohej si mjeku kryesor i tij, gjatë një seance gjyqësore për neglizhencë të zhvilluar të martën.
Gjatë dëshmisë së saj në gjykatën e San Isidros, në Buenos Aires, ajo u paraqit në procesin ndaj shtatë profesionistëve mjekësorë të akuzuar për neglizhencë në trajtimin e babait të saj, i cili ndërroi jetë në vitin 2020. “Dëgjova në televizion se ai tha se nuk ishte mjeku i tij dhe kjo më zemëron shumë që ai nuk merr përgjegjësi”, u shpreh ajo.
Luque dhe gjashtë të tjerë janë rikthyer në gjyq pasi procesi i mëparshëm u shpall i pavlefshëm në majin e kaluar, pas dorëheqjes së një prej gjyqtareve për shkak të polemikave lidhur me pjesëmarrjen e saj në një dokumentar mbi çështjen.
Sipas akuzës, ekipi mjekësor i Maradonës dyshohet se nuk ka ofruar kujdesin e duhur në javët para vdekjes së tij në një banesë në periferi të Buenos Airesit. Maradona vdiq në moshën 60-vjeçare nga një arrest kardiak, ndërsa po rikuperohej pas një operacioni për heqjen e një mpiksjeje gjaku në tru.
Të pandehurit i kanë mohuar të gjitha akuzat, ndërsa përballen me një akuzë për vrasje me dashje, e cila lidhet me dijeninë e rrezikut të sjelljes së tyre të dyshuar dhe mospërfilljen e tij.






















