FC Barcelona mbetet e vendosur për të siguruar shërbimet e Alessandro Bastoni gjatë merkatos së verës, duke e konsideruar mbrojtësin italian si një nga objektivat kryesorë për repartin defensiv.
Sipas raportimeve nga ‘Diario Sport’, katalanasit kanë një avantazh në garë, pasi vetë lojtari shihet i prirur për një transferim në ‘Camp Nou’. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet kërkesa e Inter Milan, që vlerëson kartonin e tij rreth 70 milionë euro.
Për të ulur koston e operacionit, Barcelona po shqyrton mundësinë e përfshirjes së lojtarëve në marrëveshje. Një nga emrat që mund të përdoret si pjesë e shkëmbimit është Roony Bardghji, i cili nuk është i kënaqur me hapësirat e kufizuara dhe rolin si alternativë ndaj Lamine Yamal.
Sulmuesi suedez vlerësohet rreth 15 milionë euro dhe mund të shërbejë si element negociues. Në listën e opsioneve për t’u përfshirë në marrëveshje përmenden gjithashtu portieri Aron Yaakobishvili, aktualisht i huazuar te FC Andorra, si dhe mbrojtësi Hector Fort, i huazuar te Elche CF.






















