Futbollisti argjentinas, tetë herë fitues i Topit të Artë, Lionel Messi, ka zyrtarizuar blerjen e klubit spanjoll UE Cornella, duke u bërë pronari i ri i skuadrës që militon në Tercera RFEF.
Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin e tij jashtë fushës së lojës, ndërsa njëkohësisht forcon lidhjen e hershme me futbollin katalanas dhe zonën e Barcelonës.
I themeluar në vitin 1951, Cornella njihet si një klub me traditë në Katalonjë dhe në futbollin spanjoll, veçanërisht për punën me akademinë dhe zhvillimin e lojtarëve të rinj. Nga radhët e tij kanë dalë emra të njohur si David Raya, Jordi Alba, Javi Puado dhe Keita Baldé.
Investimi i Messit pritet të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin sportiv dhe institucional të klubit, me fokus në forcimin e strukturave, modernizimin e akademisë dhe vazhdimin e promovimit të talenteve të reja, në përputhje me vizionin e tij afatgjatë.
Në aspektin sportiv, Cornellà ndodhet aktualisht në garë për promovim në Segunda RFEF, duke mbajtur një vend në zonën ‘play-off’. Një përballje që pritet të tërheqë vëmendje është derbi ndaj CE L'Hospitalet, ku investitorë janë Jordi Alba dhe Thiago Alcántara.






















