Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se vendi i tij është i vendosur të thellojë marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut në të gjitha fushat, duke u mbështetur në lidhjet historike, njerëzore dhe kulturore mes dy shteteve.
Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës turke në platformën NSosyal, pas takimit në Stamboll mes Erdoganit dhe presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dy liderët kanë vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe dhe kanë diskutuar edhe çështje rajonale.
Erdogan theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve, i ndërtuar mbi baza historike dhe kulturore, do të vazhdojë të zgjerohet në fusha kyçe si tregtia, industria e mbrojtjes dhe energjia.
Ai shtoi gjithashtu se pret që në Samitin e NATO-s, që do të zhvillohet më 7–8 korrik në Ankara, të merren vendime të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit mes aleatëve, përfshirë edhe mundësinë e prodhimit të përbashkët në industrinë e mbrojtjes.






















