
Izraeli ka paralajmëruar Iranin për sulme të mëtejshme, nëse Teherani refuzon një propozim të Shteteve të Bashkuara që lidhet me programin e tij bërthamor.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se në rast refuzimi të marrëveshjes së propozuar, Izraeli do të ndërmarrë veprime ushtarake “edhe më të dhimbshme” ndaj objektivave të rinj në Iran.
Sipas Katz, Irani ndodhet “në një pikë kthese historike”, duke theksuar se ka dy rrugë të mundshme: heqja dorë nga programi bërthamor dhe ajo që ai e cilësoi si “terrorizëm”, në përputhje me propozimin amerikan, ose përballja me pasoja të rënda.
“Nëse regjimi iranian zgjedh opsionin e dytë, shumë shpejt do të kuptojë se ka objektiva edhe më të dhimbshëm se ato që janë goditur deri tani”, u shpreh ai gjatë një ceremonie zyrtare.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të shtuara mes Izraelit dhe Iranit, në sfondin e përpjekjeve ndërkombëtare për një marrëveshje mbi çështjen bërthamore.






















