Barcelona po përgatitet për një rindërtim të madh të skuadrës gjatë verës, një proces që mund të sjellë largimin e pesë lojtarëve të rëndësishëm nga “Camp Nou”, përfshirë Marcus Rashford dhe Frenkie De Jong.
Edhe pse ka dominuar në La Liga, klubi katalanas synon të vendosë një ekuilibër financiar dhe të rifreskojë ekipin, pas një tjetër eliminimi zhgënjyes nga Liga e Kampionëve, kësaj radhe nga Atletico Madrid.
Trajneri Hansi Flick, në bashkëpunim me drejtuesit e klubit, raportohet se ka identifikuar pesë lojtarë që konsiderohen se e kanë mbyllur ciklin e tyre në ekip dhe që pritet të largohen gjatë merkatos verore. Sipas Marca, në këtë listë përfshihen futbollistë me paga të larta, si dhe të tjerë që janë drejt përfundimit të kontratave, në kuadër të përpjekjeve për të ulur presionin financiar.
Emrat më të spikatur janë Marcus Rashford, i cili është në huazim nga Manchester United, dhe Frenkie De Jong. Në listë bëjnë pjesë gjithashtu Robert Lewandowski, Andreas Christensen dhe lojtari i dalë nga akademia La Masia, Marc Casado.
Drejtuesit e klubit po i japin prioritet krijimit të hapësirës në buxhet për të siguruar stabilitet afatgjatë, sidomos pas një sezoni ku skuadra nuk arriti të ketë sukses në kompeticionet evropiane. Frenkie De Jong, i cili fiton rreth 400 mijë euro në javë, shihet si kandidati kryesor për t’u shitur, me synimin për të ulur ndjeshëm shpenzimet për paga.
Ndërkohë, sipas gazetarit Chris Wheeler nga Mail Sport, edhe Manchester United synon të lirojë nga bilanci paga e lartë e Marcus Rashford, duke mos pranuar të ulë klauzolën e blerjes prej rreth 30 milionë eurosh që është pjesë e marrëveshjes së huazimit.
Nga ana tjetër, Barcelona deri tani nuk ka treguar gatishmëri për ta blerë përfundimisht Rashfordin. Gjatë periudhës së tij në huazim, ai ka regjistruar 12 gola dhe 13 asistime, por klubi katalanas nuk ka arritur të rinegociojë shumën e kërkuar nga Manchester United.






















