Mediat në Itali kanë publikuar një listë me emra futbollistësh që janë përmendur në hetimin për një rrjet prostitucioni në vend, por theksojnë se asnjëri prej tyre nuk është aktualisht nën hetim për veprimtari të paligjshme.
Skandali doli në pah më herët gjatë kësaj jave, kur katër persona u arrestuan në kuadër të një hetimi që lidhet me një kompani organizimi eventesh me bazë në Milano, e cila dyshohet se shërbente si mbulesë për një rrjet prostitucioni.
Sipas raportimeve, kompania u ofronte klientëve të pasur dhe me profil të lartë paketa të ashtuquajtura “evente luksoze gjithëpërfshirëse”, që përfshinin qëndrime në hotele, festa, shërbime eskorte dhe përdorimin e gazit qeshës, substancë e ndaluar për përdorim rekreativ në Itali. Ligji italian parashikon që prostitucioni në vetvete nuk përbën vepër penale, por përfitimi nga persona që paguhen për marrëdhënie seksuale konsiderohet i paligjshëm.
Eventet në fjalë dyshohet se janë zhvilluar si në Milano, ashtu edhe në ishullin grek të Mykonos, ndërsa mediat italiane raportojnë se rreth 70 futbollistë profesionistë përfshirë lojtarë nga AC Milan, Inter, Juventus dhe Hellas Verona mund të kenë qenë të përfshirë në mënyra të ndryshme.
Sipas përditësimeve të së mërkurës nga Il Giornale dhe ANSA, zyra e prokurorit në Milano po vijon punën për mbledhjen e provave dhe analizimin e materialeve të sekuestruara nga personat e arrestuar në fillim të javës.
Raportimet bëjnë të ditur se në kuadër të hetimit është shfaqur një listë me rreth 65 mbiemra futbollistësh, ku përmenden: “Përfshirë Cancellieri, Giroud, Hakimi, Huijsen, Maldini, Arthur Melo, Mota Carvalho, Niasse, Petagna, Ranocchia, Ruggeri, Skriniar, Vicario, Zortea dhe disa të tjerë.”
Gjithashtu, janë përmendur me emër të plotë edhe: “Si Soualiho Meite, Nuno Tavares dhe Carlos Augusto”.
Ndërkohë, sipas Corriere dello Sport dhe Tuttosport, në këtë çështje janë përmendur edhe emrat “Bastoni dhe Leao, Vlahoviq, Bellanova, Calafiori, Bisseck, Pinamonti, Ricci, Scamacca dhe shumë të tjerë”.






















