Cristiano Ronaldo vijon të shkruajë histori në Arabinë Saudite.
Sulmuesi portugez ka regjistruar një tjetër arritje të jashtëzakonshme me Al Nassr, pasi gjeti rrugën e rrjetës edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit.
Me golin e shënuar ndaj Al Shabab FC, 40-vjeçari ka arritur të shënojë ndaj të gjitha skuadrave të Saudi Pro League këtë sezon, duke realizuar kundër secilës prej 17 ekipeve pjesëmarrëse, një rekord i paprecedentë në historinë e ligës.
Ronaldo mbetet një nga figurat kryesore të kampionatit saudit, teksa ka arritur shifrën e 100 golave në kampionat dhe 139 gola në total me fanellën e Al Nassr.
Portugezi synon të mbyllë sezonin me trofe, pasi skuadra e tij kryeson renditjen me 82 pikë, pesë më shumë se Al Hilal SFC, që ka një ndeshje më pak të luajtur.
E gjithë vëmendja tashmë është te superderbi i së martës mes Al Nassr dhe Al Hilal, një përballje që pritet të jetë vendimtare për fatin e titullit kampion.






















