Ylli i Interit, Alessandro Bastoni, është i hapur për një transferim tek Barcelona gjatë verës, megjithëse negociatat mes klubeve ende nuk kanë filluar kështu shkruan gazeta spanjolle ‘Marca’.
Mbrojtësi italian raportohet se është i gatshëm të diskutojë një kalim në ‘Camp Nou’ dhe madje ka informuar Barcelonën se do ta konsideronte një transferim për sezonin 2026/2027.
Sipas raportimit, edhe Interi është i hapur ndaj ofertave për mbrojtësin e tyre kryesor, por Barcelona ende nuk ka bërë një tentativë zyrtare me klubin zikaltër.
Bastoni është përfolur për një kalim tek Barcelona prej javësh. Në shkurt, ai mori vlerësime edhe nga mbrojtësi i katalanasve, Pau Cubarsí, i cili e përshkroi si një ‘qendërmbrojtës spektakolar’.
‘Marca’ shton se Barcelona po kërkon një mbrojtës qendror me këmbë të majtë dhe dominues në ajër për sezonin e ardhshëm, dhe Bastoni është objektivi kryesor.
Megjithatë, Interi nuk është i gatshëm të negociojë për më pak se 70 milionë euro. 26-vjeçari ka treguar cilësi në të dyja fazat e lojës këtë sezon, duke shënuar dy gola dhe duke dhënë gjashtë asistime në 35 paraqitje me Interin.






















