Kylian Mbappe ka dhënë sinjale pozitive për Real Madrid pas analizave të fundit mjekësore, duke rritur optimizmin në kampin madrilen.
Sulmuesi francez ka pësuar një tërheqje në muskulin e këmbës së majtë, por dëmtimi rezulton më i lehtë nga sa ishte menduar fillimisht. Sipas burimeve nga klubi dhe mediat spanjolle, gjendja e tij nuk është shqetësuese, megjithatë ai do të mbetet nën monitorim të vazhdueshëm në ditët në vijim.
Në këtë situatë, nuk përjashtohet mundësia që Mbappe të rikuperohet në kohë për përballjen e madhe ndaj FC Barcelona në “El Clásico”. Ai u detyrua të largohej nga fusha në ndeshjen kundër Real Betis për shkak të shqetësimit muskulor, por ekzaminimet kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një dëmtim të lehtë.
Megjithatë, te “Los Blancos” po tregohen të kujdesshëm dhe nuk duan të rrezikojnë përkeqësimin e situatës. Rikthimi i tij do të varet nga progresi i rikuperimit, ndërsa vendimi final për aktivizimin në “El Clásico” pritet të merret vetëm në ditët e fundit para ndeshjes.






















