
Ditët e fundit përplasja mes dy aksionerëve për Aeroportin e Vlorës, ka degraduar nga përballja gjyqësore tek përleshja e punëtorëve në terren.
Begjet Pacolli që zotëron 98 % të aksioneve është përballë Valon Ademit me 2 % të aksioneve. Politikani dhe biznesmeni kosovar ka denoncuar shpesh se qeveria po ndihmon aksionerin e pakicës, dhe publiku pak ka kuptuar se si qëndron e vërteta.
Në përfundim, kemi një aeroport të papërfunduar, afate të tejkaluara, fluturime të premtuara e të pa nisura, dhe në thelb, mungesë totale transparence, me qeverinë që po sillet sikur ajo që po ndodh është në bahçen e komshiut dhe jo në oborrin e saj.
Në sfondin e përplasjeve gati absurde dhe debateve të ditëve të fundit lidhur me projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvend një kërkesë për interpelancë urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Në dokument, opozita ngre pikëpyetje të mëdha mbi vonesat në afate, standardet e punimeve si dhe dyshimet e rënda që qarkullojnë në publik për falsifikime dhe implikime të kapitalit rus. Përmes kësaj kërkese, drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, deputetët e opozitës kërkojnë përgjigje të menjëhershme për 10 çështje kryesore.
Më poshtë vijon lista e plotë e 10 pyetjeve të drejtuara qeverisë sipas dokumentit zyrtar:
10 Pyetjet e Opozitës për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë:
Cilat janë masat që ka marrë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për mosrespektimin e afateve nga koncesionari për hapjen dhe operimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës?
A ka kryer Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë verifikime lidhur me pretendimet e ngritura që punimet e kryera nuk janë në standardet e kërkuara?
Nëse po, cilat kanë qenë gjetjet e këtyre verifikimeve dhe masat e marra?
A ka kryer Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë një hetim administrativ lidhur me pretendimet e ngritura për falsifikim dokumentesh, mashtrim dhe pastrim parash?
Nëse po, cilat janë konkluzionet e këtij hetimi administrativ dhe masat e marra?
A ka kryer Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me institucionet e inteligjencës, verifikime lidhur me pretendimet e ngritura që koncesioni mund t'i transferohet një kompanie me lidhje ruse?
Nëse po, çfarë ka rezultuar nga verifikimet dhe masat e marra?
Kur pritet të fillojë hapja dhe operimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës?
Nëse nuk respektohet edhe ky afat, cilat janë masat që do të merren?
A është duke u vlerësuar mundësia që shteti të ndërpresë kontratën dhe të marrë vetë në administrim Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës?
Sipas Rregullores së Kuvendit, kjo kërkesë pritet t'i kalojë menjëherë seancës plenare për shkak të natyrës urgjente që ka marrë çështja e aeroportit, pas zhvillimeve më të fundit në terren.























