Politika 19 May 2026, 12:22 Nga VNA

Rama i lë me gisht në gojë, por opozita nuk dorëzohet, kërkon interpelancë urgjente për shpopullimin

Ndaje në Whatsapp

Rama i lë me gisht në gojë, por opozita nuk dorëzohet,

Në një akt të ri të asaj që tashmë mund të quhet lirisht "këmbëngulje heroike ndaj indiferencës", deputetët e opozitës kanë depozituar një kërkesë zyrtare për interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama. Tema këtë herë? Asgjë më pak se kriza e rëndë demografike, emigracioni masiv dhe largimi i brezit të ri.

Sipas dokumentit të siguruar nga VNA deputetët (ku në fund të shkresës dallohen emrat e Gazment Bardhit, Isuf Çelës dhe Ledina Alloit) i kujtojnë kreut të qeverisë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 Shqipëria shënoi 368 vdekje më shumë se lindje. Ata pyesin të shqetësuar se ku po shkon rinia dhe pse vendi po zëvendësohet me punonjës nga vende të treta.

Megjithatë, ironia më e madhe nuk qëndron te shifrat alarmante të INSTAT-it apo të raportit "World Migration Report 2026", por te vetë besimi i palëkundur i opozitës se këtë të enjte Kryeministri do të lërë podcast-et, takimet ndërkombëtare apo ekspozitat e radhës për t'u ulur në bankën e Kuvendit e për t'u kthyer përgjigje një liste të gjatë me pyetje ekzistenciale.

Tetë "ekuacionet me shumë të panjohura" të opozitës
Nëse Kryeministri vendos t'u përgjigjet, ja lista e pyetjeve që opozita ka përgatitur me shpresën se do të marrë një përgjigje (dhe jo një batutë):

Ku po shkojmë? Cila është situata reale demografike e vendit dhe cilat janë projeksionet e qeverisë për 10-20 vitet e ardhshme?

Plani i frenimit: Çfarë masash konkrete ka ndërmarrë qeveria për të ndaluar emigracionin masiv të të rinjve?

Strategjia e kthimit: A ekziston një strategji kombëtare afatgjatë për t'i kthyer të rinjtë dhe për të ndaluar boshatisjen e vendit?

Fatura e dështimit: Pse kanë dështuar deri më sot politikat për mbështetjen e familjeve të reja dhe rritjen e lindshmërisë?

Ndihma për djepin: Çfarë mbështetje konkrete financiare dhe sociale ofrohet për çiftet e reja, strehimin dhe rritjen e fëmijëve?

Eksodi i "bluzave të bardha" dhe trurit: Si e shpjegon qeveria largimin masiv të mjekëve, infermierëve, studentëve dhe specialistëve të kualifikuar?

Zëvendësimi demografik: Çfarë strategjie ka qeveria për punësimin masiv të shtetasve nga vende të treta dhe a ka kuota apo kufizime për sektorë të caktuar?

Alarmi i kuq: A e konsideron qeveria krizën demografike si një emergjencë kombëtare dhe cilat janë masat emergjente që parashikon?

Dashuri e pakonformuar, ata kërkojnë interpelancë, ai dërgon ministrat
Si një skenarist që refuzon të ndryshojë fundin e një drame që dihet, opozita vazhdon të përdorë nenin 80 të Kushtetutës dhe nenin 97 të Rregullores së Kuvendit me të njëjtin pasion sikur të ishte hera e parë. Përvoja e deritanishme parlamentare ka treguar një skenar pothuajse mekanik:

Opozita harton faqe të tëra me pyetje akute për fatet e kombit.

Kryeministri zbulon një impenjim urgjent jashtë vendit ose thjesht vendos se pyetjet nuk e kalojnë "estetikën" e duhur parlamentare.
Seanca përfundon me një delegim të detyrës te ndonjë ministër, i cili lexon një lumë shifrash ku Shqipëria rezulton parajsa e premtuar, ndërsa opozita flet me muret e sallës.
"Kërkojmë transparencë të plotë mbi politikat e ndjekura deri më sot nga qeveria [...] dhe që kjo interpelancë të përfshihet me urgjencë në rendin e ditës," shkruhet në kërkesën e deputetëve.

Mbetet vetëm të shihet nëse këtë herë opozita do të arrijë të thyejë "mallkimin" e interpelancave të injoruara, apo nëse ky dokument do t'i shtohet thjesht koleksionit të gjatë të letrave që Kryeministria i arkivon nën dosjen: "Pa rëndësi për axhendën".

Deri atëherë, dritat në Kuvend do të ndizen, opozita do të mbajë fjalime, dhe Edi Rama... me shumë gjasa do të jetë diku tjetër.

Video

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme