
Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka lënë për një çast mënjanë "betejat" dhe agjendën politike sa krah e sa përballë kryeministrit Edi Rama, duke reaguar për protestat e fundit të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Pasi Edi Rama akoma nuk "ja ka prerë kokën" edhe pse ajo e sfidoi me letërn "më përjashto", deputetja e ka lënë në fjetje nismën për të garantuar demokracinë e brendshme në PS dhe për të përmirësuar qeverisjen tashmë që është jashtë saj.
Përmes një qëndrimi publik, Spiropali ka rreshtuar veten pa ekuivok në krah të të rinjve shqiptarë, duke e cilësuar ngritjen e tyre në protestë për gjuhën shqipe jo thjesht si një ngjarje administrative, por si një krizë të thellë sistemike.
“Vetëm ky fakt është mjaftueshëm i rëndë për të kuptuar se problemi nuk është procedural, por thellësisht politik, institucional dhe moral,” shprehet Spiropali, duke goditur drejtpërdrejt qasjen e autoriteteve të Shkupit zyrtar.
Spiropali ka theksuar se kjo protestë ka nxjerrë në dritë dështimin e politikës formale për të zgjidhur çështjet bazike të bashkëjetesës dhe të drejtave fundamentale në shtetin fqinj. Sipas saj, rruga po thotë atë që institucionet po përpiqen ta fshehin.
“Protesta e djeshme tregoi se ndonjëherë një shtet i zbulon çështjet e pazgjidhura jo në sallat e parlamentit dhe as në deklaratat politike, por në rrugë. I zbulon në fytyrat e studentëve. Në mënyrën se si një i ri detyrohet të protestojë për diçka që në Europë do të duhej të ishte zgjidhur prej kohësh.”
Sipas ish-ministres, reagimi i studentëve dëshmon se barazia e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ende nuk po trajtohet si një e drejtë natyrale dhe kushtetuese, por si një "monedhë këmbimi" apo kompromis mes partive në pushtet.
Gjuha shqipe, dinjitet dhe shtyllë shtetformuese
Në reagimin e saj, i cili po lexohet edhe si një mesazh i qartë diplomatik për klasën politike në Shkup (përfshirë faktorin politik shqiptar atje), Spiropali kërkon që gjuha shqipe të mos shihet si një mjet thjesht burokratik, por si element ekzistencial.
“Një gjuha nuk është përkthim administrativ. Është dinjitet, kujtesë dhe identitet. Është mënyra se si një popull i mbijeton historisë, kohës dhe çdo përpjekjeje për zbehje apo asimilim.”
“Shqiptarët si etnitet politik, gjuha shqipe dhe të drejtat kolektive duhet të jenë të përcaktuara qartë, fort dhe pa ekuivok në Kushtetutën e shtetit, sepse shqiptarët nuk janë pakicë e toleruar, por një nga shtyllat shtetformuese të vetë Maqedonisë së Veriut.”
Thirrje për vizion europian
Në mbyllje të qëndrimit të saj, Spiropali ka kërkuar që zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit dhe standardeve europiane të mos bëhet me interpretime që ndryshojnë sipas "klimës së pushtetit". Ajo ka kujtuar se njohja e këtyre të drejtave nuk e rrezikon Maqedoninë e Veriut, por përkundrazi, e bën atë më të fortë dhe më demokratike.
“Në këtë moment kërkohet më shumë urtësi, më shumë dialog dhe më shumë vizion. Kërkohet besim se barazia nuk e dobëson shtetin, e forcon atë... Sepse në fund, gjuha shqipe është pjesë e shpirtit tonë. Dhe askush nuk mund t’i kërkojë një populli të heshtë në gjuhën e vet,” përfundon ajo.
Ky reagim i Spiropalit vjen në një moment delikat të tranzicionit politik në Maqedoninë e Veriut, ku tensionet ndëretnike dhe çështja e përdorimit të gjuhës shqipe shpesh rikthehen në qendër të debateve për interesa elektorale, duke lënë pas dore pikërisht ata që preken më shumë: brezin e ri.






















