Shtetet e Bashkuara vendosën këtë të premte sanksione ndaj tre personave dhe dy organizatave bamirëse me bazë në Francë, që dyshohen se kanë mbledhur dhe transferuar fonde për Hamasin.
Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, rrjeti ka siguruar mbi 2 milionë dollarë gjatë viteve 2020–2026. Rreth 1,5 milionë dollarë janë mbledhur pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Në listën e të sanksionuarve janë Faouzi Barika dhe Amel Oualid, si dhe organizatat me të cilat ata lidhen, “Association Baraka” dhe “Ensemble C Mieux”. Autoritetet amerikane pretendojnë se fondet mblidheshin në emër të ndihmës humanitare për civilët në Gazë, por përdoreshin për financimin e Hamasit.
Sanksionet përfshijnë edhe Saleem Abdallah Saleem al-Zaq, i identifikuar nga Thesari amerikan si pjesëtar i krahut ushtarak të Hamasit në Gazë. Ai akuzohet se mbikëqyrte një rrjet financiar që përdorte shërbime transfertash dhe portofola kriptomonedhash për të dërguar para te Brigadat Al-Qassam.
Sipas autoriteteve amerikane, rrjeti përdorte struktura të paraqitura si bamirëse dhe kanale digjitale për të fshehur destinacionin e fondeve dhe për t’iu shmangur kontrolleve.






















