Zjarret masive në jugperëndim të Francës janë riaktivizuar këtë të martë, më 28 korrik, ndërsa vendi po përgatitet për valën e katërt të të nxehtit gjatë këtij sezoni veror, me temperatura që pritet të arrijnë nivele shumë të larta.
Autoritetet franceze kanë urdhëruar evakuimin e rreth 4 mijë personave të tjerë nga zonat turistike përgjatë bregdetit të Atlantikut, pasi kushtet ekstreme të motit po e vështirësojnë punën e zjarrfikësve për të vënë nën kontroll zjarrin e madh në perëndim të Bordosë.
Sipas autoriteteve lokale, zjarri ka shkaktuar riaktivizimin e 14 vatrave të reja, duke rritur shqetësimin për përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Shërbimi meteorologjik francez Meteo-France ka njoftuar se të mërkurën 16 departamente, përfshirë Gironde dhe Landes, do të jenë në alarm portokalli për shkak të valës së të nxehtit. Ndërkohë, 14 departamente të tjera do të jenë gjithashtu në nivelin portokalli, 63 në alarm të verdhë dhe vetëm 17 në gjendje normale.
Prefektura e Gironde ka bërë të ditur se disa zona të prekura më herët nga zjarret janë përfshirë sërish nga flakët, veçanërisht në Lege/Grand Crohot, Marcheprime dhe rajonin Lege-Cap Ferret.
Përveç dëmeve në mjedis dhe turizëm, zjarret kanë shkaktuar pasoja të mëdha ekonomike. Organizatat që përfaqësojnë bizneset e vogla, të vetëpunësuarit dhe sektorin turistik kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga qeveria franceze, si dhe mbështetje më të madhe nga kompanitë e sigurimeve.
Sipas Dhomës së Tregtisë, rreth 14 500 biznese janë prekur nga situata, ndërsa Ministria franceze e Financave vlerëson se rreth 130 mijë punonjës nuk kanë mundur të shkojnë në punë për shkak të zjarreve dhe masave të sigurisë.






















