Politika 11 December 2024, 21:37 Nga VNA

Rama shmang çmimin e marrë nga Dumani në takimin me ambasadorët/ Çfarë e shqetëson kryeministrin?

Ndaje në Whatsapp
Rama shmang çmimin e marrë nga Dumani në takimin me

Edi Rama nuk i ka kursyer sot lavdërimet për veten dhe Partinë Socialiste për miratimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi. Përpara ambasadorëve të akredituar në Tiranë, kryeministri u përpoq ta kalonte me batutë përpjekjen e komisionit të drejtuar nga Fatmir Xhafaj për të ndryshuar ose për të vënë nën kontroll çfarë është arritur deri tani nga kjo reformë. Madje, numri një i qeverisë nuk harroi të përmendte SPAK-un, institucionin që i ka trokitur në dyert e bashkëpunëtorëve më të afërt, duke thënë:

“Ka njerëz që thonë se Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama kanë një plan të errët për të bllokuar SPAK-un dhe për të përmbysur reformën në drejtësi. Prandaj bëjnë mbledhje sekrete me një grup njerëzish në PS dhe po thurin një komplot.”

Në fakt, shumë nga ambasadorët e pranishëm në atë sallë e kanë shprehur publikisht jo vetëm shqetësimin për komisionin Xhafaj dhe mbështetjen e Edi Ramës për këtë komision, por edhe për objektin e punës së tij. Po ashtu, të njëjtët ambasadorë përshëndetën çmimin e marrë nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

Kjo duket se nuk i ka pëlqyer Edi Ramës, i cili sot, në fjalimin e tij, nuk e përmendi fare këtë çmim, ndonëse është vlerësimi më i lartë i dhënë ndonjëherë për një nga institucionet e drejtësisë së re. Ndryshe nga vlerësimi i dhënë për Ardian Dvoranin, të cilin kryeministri e ka përshëndetur publikisht, kësaj here Rama, ndoshta nga shqetësimi se tashmë SPAK ka një “dekoratë” të re mbi supe, nuk e ka parë të arsyeshme ta përmendë.

Qartazi, krerët e lartë të shtetit, që nga presidenti, kryeministri apo kryetarja e parlamentit, nuk e përshëndetën çmimin e dhënë nga Departamenti i Shtetit për shefin e SPAK-ut. Ata duket se ndihen, në rastin më të keq të shqetësuar, ose në rastin më të mirë ziliqarë që një çmim kaq i lartë u jepet një personi që ndoshta mund t’u trokasë në derë jo si koleg, por si prokuror.

Altin Dumani, si përfaqësues i institucioneve shtetërore, e meriton këtë nderim, i cili automatikisht përthehet edhe në respekt për shtetin shqiptar. Por mesa duket, këtë respekt, për presidentin, kryetaren e parlamentit dhe kryeministrin, e meritojnë më shumë sportistët dhe këngëtarët që nderohen me çmime ndërkombëtare.

Video

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

Aksidentet rrugore në rritje, siguria në shkolla fillon nga siguria në rrugë

“Pse nuk takon qytetarët, por administratën?” Rama mbyll takimin me qytetarët por qytetarët që kërkuan t’i flisnin përfunduan në polici. Video: Disidentët

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme