Politika 4 October 2026, 10:33 Nga VNA

Rama flet për një “fazë të re” për fëmijët me aftësi ndryshe/ Pa përgjigjen e prindërve: Ç’do të bëhet me fëmijën tim pas 18 viteve dhe kur unë të mos jem më?

Ndaje në Whatsapp
Rama flet për një “fazë të re” për

Ka një kufi mes propagandës dhe realitetit. Dhe ky kufi përcaktohet nga dhimbja njerëzore.

Dhimbja që e njohin çdo ditë mijëra familje shqiptare me fëmijë me aftësi të kufizuara, mes tyre edhe prindërit e fëmijëve në spektrin e autizmit. Familje që përballen me terapitë, shkollimin, mungesën e shërbimeve të specializuara dhe, mbi të gjitha, me ankthin se çfarë do të ndodhë me fëmijën e tyre kur të rritet.

Këtë të diel, kryeministri Edi Rama zgjodhi podcastin e tij “Flasim” për të njoftuar krijimin e një Këshilli Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe. Përballë tij ishte edhe një nënë me djalin e saj, ndërsa kryeministri foli për një “fazë të re” të marrëdhënies së institucioneve me këta fëmijë dhe prindërit e tyre.

Sipas Ramës, në Këshill do të përfshihen përfaqësues të institucioneve, prindër dhe mësues dhe prej tij priten orientime e sugjerime për politikat e mëtejshme.

Por përtej fjalëve është ajo që shteti ofron sot.

Vetëm pak muaj më parë qeveria dyfishoi pagesën mujore bazë për fëmijët me aftësi të kufizuara. Masa prek mbi 10 mijë fëmijë dhe ka hyrë në fuqi me efekt nga 1 korriku 2026.

Është një ndihmë konkrete dhe duhet thënë.

Por vendimi ka një kufi të përcaktuar qartë: 18 vjeç.

VKM-ja e 22 korrikut përcakton rritjen me 100 për qind të pagesës bazë të indeksuar për “fëmijët me aftësi të kufizuar, deri në moshën 18 vjeç”. Pas kësaj moshe, kjo shtesë e posaçme nuk vazhdon.

Dhe pikërisht aty nis një prej shqetësimeve më të mëdha të familjeve.

Sepse autizmi nuk përfundon në ditëlindjen e 18-të. As nevoja për kujdes, terapi, rehabilitim dhe mbështetje nuk zhduket kur ligji e konsideron fëmijën të rritur.

Shqipëria parashikon pagesa për persona madhorë me aftësi të kufizuara dhe, sipas kategorive dhe vlerësimit, edhe mbështetje për ndihmës personal. Pra, nuk është e saktë të thuhet se pas 18 vjeç shteti nuk jep absolutisht asgjë.

Por një pagesë mujore nuk zëvendëson terapinë. Nuk zëvendëson qendrën ditore. Nuk zëvendëson rehabilitimin, profesionistët, përgatitjen për një jetë sa më të pavarur dhe kujdesin afatgjatë për ata që nuk mund të jetojnë vetëm.

Vetë shteti e pranon se boshllëqe të tilla ekzistojnë. Në politikat e miratuara për periudhën 2026–2030 parashikohet zgjerimi i shërbimeve në komunitet, rehabilitimit, punësimit dhe mbështetjes për jetesë të pavarur. Ndërsa për vitin 2026 është njoftuar edhe ngritja në Tiranë e një Qendre Rajonale për të rinjtë në spektrin e autizmit.

Dhe këtu qëndron diferenca mes një Këshilli Kombëtar të shpallur në podcast dhe asaj që presin prindërit.

Ata kanë nevojë për shërbime që ekzistojnë sot dhe vazhdojnë nesër. Për terapi të përballueshme, qendra të specializuara, profesionistë, rehabilitim dhe një sistem që nuk e sheh moshën 18 vjeç si vijën pas së cilës problemi ndryshon vetëm sepse ndryshon emërtimi nga “fëmijë” në “i rritur”.

Mbi të gjitha, kanë nevojë për një përgjigje për pyetjen që shumë prej tyre e mbajnë me vete prej vitesh:

Kush do të kujdeset për fëmijën tim kur unë të mos mundem më?

Ka pak gjëra më mizore se sa, një të diel në mëngjes, familjet që jetojnë çdo ditë me hallet e një fëmije me aftësi të kufizuara të dëgjojnë një ligjëratë të gjatë për kujdesin e shtetit. Sepse këta prindër nuk kanë nevojë t’u tregojë kryeministri sa e vështirë është jeta e tyre. E dinë.

Kanë nevojë që shteti të jetë aty kur u duhet, me terapi, qendra, profesionistë dhe një përgjigje për pyetjen që i mundon më shumë: çfarë do të bëhet me fëmijën tim kur të mbushë 18 vjeç dhe, një ditë, kur unë të mos jem më?

Për këtë Edi Rama sot nuk dha përgjigje.

Lexo gjithashtu

Video

Pamje të reja janë publikuar nga sulmi rus me dron në Kiev, ku shihet momenti kur një mjet ajror godet Urën Veriore, ndërsa automjete po qarkullonin mbi të. Sulmi i 4 tetorit shkaktoi dëmtime në sipërfaqen e urës dhe në infrastrukturën përreth. Autoritetet ukrainase njoftuan kufizime të përkohshme të qarkullimit pas goditjes. Rusia ka konfirmuar goditjen e urës, duke pretenduar se ajo përdorej për transport ushtarak, ndërsa pamjet e publikuara në rrjet tregojnë shpërthimin shumë pranë automjeteve në lëvizje.

Sërish momente tensioni para përballjes mes Irlandës dhe Izraelit. Gjatë himnit kombëtar izraelit, për të dytën herë, futbollistët irlandezë qëndruan me kokën ulur, në një gjest proteste ndaj Izraelit për shkak të genocidit në Gaza. Tensionet u reflektuan edhe në ceremoninë para ndeshjes, me kapitenët Caoimhin Kelleher dhe Dor Peretz që nuk shtrënguan duart. Ky ishte rasti i dytë brenda një jave që mes dy skuadrave mungoi shtrëngimi tradicional i duarve. Të dyja kombëtaret mbanin gjithashtu shirita të zinj, por me simbolikë të ndryshme: Izraeli në kujtim të viktimave të 7 tetorit, ndërsa Irlanda në nderim të të gjitha jetëve të humbura në konfliktin në Lindjen e Mesme.

Tensione janë regjistruar në Berlin, ku policia gjermane ndërhyri gjatë një proteste ku merrnin pjesë edhe mbështetës të Palestinës. Pamjet e publikuara nga TRT Haber tregojnë forca të shumta policie mes turmës dhe momente përplasjesh me protestuesit. Tubimi ishte pjesë e një demonstrate më të gjerë kundër luftës, riarmatimit dhe shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ndërsa një pjesë e pjesëmarrësve protestuan edhe kundër veprimeve të Izraelit në Gaza.

Kur ke pasur Lulin mësues matematike në gjimnaz

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme