Politika 3 October 2026, 14:50 Nga VNA

Një gur i ri në murin e propagandës/ Rama krijon “Pasqyrën Flamingo”, qeveria do të shpjegojë vetë dosjet që e vënë në siklet

Ndaje në Whatsapp
Një gur i ri në murin e propagandës/ Rama krijon

Qeveria do të ketë tashmë edhe “pasqyrën” e saj. Kryeministri Edi Rama prezantoi sot “Pasqyrën Flamingo”, një komponent të ri të platformës “Pasqyrë Albania”, ku do të publikohen dokumentet e dosjeve që kanë shkaktuar debat, akuza dhe dyshime në opinionin publik.

E para do të jetë dosja Sazan-Zvërnec. Më pas do të vijë KAYO dhe, sipas Ramës, edhe çështje të tjera si Milot-Balldreni.

Në pamje të parë, formula quhet transparencë: qeveria hap dokumentet dhe qytetarët i lexojnë. Por formula që prezantoi Rama ka edhe një veçori tjetër: qeveria do të jetë njëkohësisht objekti i akuzave, administruesja e dokumenteve dhe institucioni që do t’i shpjegojë publikut se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është manipulim.

Rama tha se “Pasqyra Flamingo” lind pikërisht në një kohë kur faktet, sipas tij, janë nën presionin e manipulimeve, gjysmë të vërtetave dhe informacioneve të paverifikuara.

Në platformë do të publikohen dokumente qeveritare, referenca ligjore dhe përgjigje zyrtare. Madje edhe pyetjet do të gjenerohen përmes inteligjencës artificiale, duke analizuar atë që diskutohet në media dhe rrjetet sociale.

Kryeministri këmbënguli se aty nuk do të ketë “retorikë, deklarata politike apo përgënjeshtrime”, por vetëm fakte.

Dhe pikërisht këtu “pasqyra” bëhet interesante.

Sepse qeveria nuk po hap thjesht arkivat. Ajo po ndërton edhe mekanizmin përmes të cilit do t’i tregojë publikut se si duhen lexuar dosjet më të debatueshme të vetë qeverisë.

Sazani dhe Zvërneci do të jenë prova e parë. KAYO, një tjetër dosje që Rama tha se do të publikohet shumë shpejt, do të jetë prova e radhës.

“Pasqyrë Albania” do të përfshijë më vonë edhe mundësinë për të ndjekur projektet publike të financuara nga taksat, ndërsa Rama njoftoi se sistemi do të integrohet në ligjin e bashkëqeverisjes dhe se brenda një viti synohet të jetë plotësisht i konsoliduar.

Transparenca është gjithmonë e mirëpritur. Dokumentet publike edhe më shumë.

Por “Pasqyra Flamingo” ngre një pyetje shumë më të thjeshtë se gjithë teknologjia, inteligjenca artificiale dhe emërtimet e reja të qeverisë:

Kur pushteti ndërton vetë pasqyrën, zgjedh vetë çfarë vendos përpara saj dhe shpjegon vetë çfarë duhet të shohim brenda saj, kemi më shumë transparencë — apo thjesht një gur të ri në murin e propagandës?

Video

Gazetarët izraelitë u përplasën me zyrtarët irlandezë të medias gjatë një konference të tensionuar për shtyp, duke bërë që ndeshja Izrael–Irlandë të zhvillohet në Serbi dhe jo në Dublin

Përplasje të forta në Francë, protestat përshkallëzohen Protestat e nxënësve në Francë janë shoqëruar me përplasje me policinë, gaz lotsjellës dhe zjarre në disa qytete. Protestuesit kërkojnë më shumë investime në arsim, më shumë mësues dhe përmirësimin e kushteve në shkolla. Pamjet tregojnë momentet e tensionuara gjatë protestave.

“Grepi” i SPAK mbërrin te KAYO: industria në emër të shtetit, biznesi në duart e privatëve

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme