Politika 3 October 2026, 12:18 Nga VNA

Harta e re territoriale, Berisha mbledh aleatët: Ndoka kritikon PD-në, Blushi kërkon protestë para Kuvendit

Ndaje në Whatsapp
Harta e re territoriale, Berisha mbledh aleatët: Ndoka kritikon PD-në,

Pesë ditë para votimit në Kuvend të draftit të Partisë Socialiste për hartën e re territoriale, kryetari i PD-së, Sali Berisha, mblodhi aleatët për të diskutuar qëndrimin dhe strategjinë e opozitës. Propozimi i socialistëve parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe reduktimin e numrit të tyre nga 61 në 46.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e përdor reformën për të përqendruar më tej pushtetin vendor dhe për të përfituar në zgjedhje. Sipas tij, mazhoranca ndërpreu konsultimet përpara përfundimit të tyre dhe paraqiti në mënyrë të njëanshme draftin e saj.

“Paraqiti draftin me 46 bashki, duke hequr edhe 15 të tjera, që të gjitha për qëllimet e tij elektorale”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së rikujtoi se opozita ka paraqitur në Kuvend një propozim për ndarjen e vendit në 100 bashki, duke lënë të hapur mundësinë e krijimit të njësive të tjera në varësi të kritereve. Ai pretendoi se projekti i socialistëve bie ndesh me Kushtetutën dhe standardet europiane për konsultimin e komuniteteve.

Berisha iu referua edhe kundërshtimeve në bashkitë që parashikohet të shkrihen, duke theksuar se në disa prej tyre kundër janë shprehur edhe këshilltarë socialistë.

Por tryeza u shoqërua edhe me kritika ndaj mënyrës se si PD-ja ka drejtuar procesin. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, e cilësoi gabim pjesëmarrjen e opozitës në komisionet parlamentare që në hapat e parë dhe akuzoi PD-në se nuk ka informuar e përfshirë aleatët.

“Ato dëgjesat dukeshin si muaj mjalti mes opozitës dhe mazhorancës. Nuk patëm informacion si parti aleate, as morëm pjesë në dëgjesa”, tha Ndoka.

Ai kundërshtoi edhe propozimin për 100 bashki, duke argumentuar se Shqipëria ka mundësi të organizohet në mbi 200 njësi vendore. Sipas Ndokës, njësitë më të vogla mundësojnë përfaqësim më të drejtpërdrejtë të komuniteteve, ndërsa reduktimi i bashkive e vendos opozitën në disavantazh elektoral.

Në përgjigje, Berisha mbrojti qëndrimin për vijimin e betejës brenda institucioneve, duke thënë se braktisja e tyre do t’i shërbente mazhorancës. Ai shtoi se qytetarët i kanë kërkuar opozitës të mos tërhiqet nga reforma dhe të mos ua lërë socialistëve të gjithë hapësirën e vendimmarrjes.

“Këtu rruga e vetme është protesta për largimin e tij”, deklaroi Berisha, duke shtuar se opozita nuk duhet të presë që ndryshimi politik të vijë nga SPAK.

Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, propozoi që opozita të thërrasë një protestë para Kuvendit të enjten, kur pritet të votohet drafti.

Sipas tij, mobilizimi duhet të përfshijë qytetarë nga i gjithë vendi dhe të mos kufizohet vetëm te banorët e 15 bashkive që rrezikojnë të shkrihen.

“Opozita nuk duhet t’ua delegojë betejën vetëm qytetarëve. Opozita duhet t’u prijë protestave”, tha Blushi.

Thirrja për protestë u paraqit si propozim në tryezën e aleatëve, në kuadër të diskutimeve për reagimin e opozitës ndaj hartës së re territoriale.

Video

Gazetarët izraelitë u përplasën me zyrtarët irlandezë të medias gjatë një konference të tensionuar për shtyp, duke bërë që ndeshja Izrael–Irlandë të zhvillohet në Serbi dhe jo në Dublin

Përplasje të forta në Francë, protestat përshkallëzohen Protestat e nxënësve në Francë janë shoqëruar me përplasje me policinë, gaz lotsjellës dhe zjarre në disa qytete. Protestuesit kërkojnë më shumë investime në arsim, më shumë mësues dhe përmirësimin e kushteve në shkolla. Pamjet tregojnë momentet e tensionuara gjatë protestave.

“Grepi” i SPAK mbërrin te KAYO: industria në emër të shtetit, biznesi në duart e privatëve

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme