Ish-prokurori Tom Dedaj që kërkon të bëhet pjesë si ndërhyrës në procesin gjyqësor mes kryebashkiakut Erion Veliaj kundër prokurorit të posaçëm Ols Dado, ka shpjeguar arsyet se përse i është drejtuar gjykatës.
Dedaj kërkon të legjitimohet në proces, pasi pretendon se u shkarkua nga një kontroll i paligjshëm i 2008. Sipas tij duke qenë se prokuroria funksionon me kuota, shkarkimi i tij u bë për tu emëruar Ols Dado në 2009.
“Mënyra e largimit dhe shkarkimit tim duhej të hapej një vend dhe të emërohej dikush tjetër. Ata kohë duhej të më shkarkonin mua dhe të emërohej Ols Dado. Por përkon periudha kohore”, tha Dedaj. Ai deklaroi më tej se Ina Rama e shkarkoi për qëllim kriminal, pasi donte të emëronte Dadon.
“Procedura ka nis në shtator 2008 dhe ka përfunduar në tetor 2009. Më pas unë fitova të drejtën në Gjykatën e Lartë dhe jam rikthyer në 2013”, tha Dedaj.
“Më hoqën mua si prokuror dhe vunë Ols Dadon. Kurr nuk e mora vesh për çfarë jam hequr. Unë e kam hapur një vend atje në mënyrë të paligjshme. Përkon kokë më kokë”, theksoi më tej ai.
I pyetur nga gjyqtari që nëse Ols Dado shkarkohej nga detyra, çfarë interesi kishte, ish-prokurori deklaroi: “Do të vendosej ligji në vend. Një veprimtari që merr në qafë njerëzit e tjerë”.
“Nëse hiqet nga detyra, do kërkoj dëmshpërblim”, tha më tej Dedaj.
Erion Veliaj kërkon shkarkimin e Ols Dados, pasi pretendon se është emëruar si prokuror në kundërshtim me ligjin.






















