
Pesë qytetarë janë shoqëruar nga Policia e Shtetit pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar përpara Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas informacioneve paraprake, të shoqëruarit janë dërguar në Komisariatin nr. 1 në Tiranë, ndërsa nuk janë bërë ende të ditura arsyet zyrtare të shoqërimit.
Ndërkohë, protesta vijon para godinës së Parlamentit, ku protestuesit kanë rrethuar ambientet dhe kanë vazhduar me thirrjet kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në zonë mbetet e shtuar prania e forcave të Policisë së Shtetit dhe efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), të cilët po monitorojnë situatën për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.






















