
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik i ndodhur pasditen e sotme në Unazën e Madhe të Tiranës, ku një betoniere doli nga rruga dhe përfundoi poshtë urës, pasi u përplas me një automjet tip “Audi”.
Sipas informacioneve paraprake, betoniereja po lëvizte në Unazën Lindore, në segmentin Farkë–TEG, me drejtim rrethrrotullimin pranë qendrës tregtare.
Dyshohet se mjeti i tonazhit të rëndë po qarkullonte me shpejtësi të lartë në momentin kur iu afrua rrethrrotullimit, ku duhej të ndalonte për t’u dhënë përparësi automjeteve që lëviznin brenda tij.
Në vendngjarje janë konstatuar edhe shenja të forta frenimi në asfalt, ndërsa hetuesit po punojnë për të përcaktuar me saktësi shkaqet dhe dinamikën e aksidentit.






















