
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar pasditen e sotme në Unazën e Madhe të Tiranës, ku një betoniere ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar poshtë urës.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe ka marrë ndihmën e parë nga ekipet e emergjencës.
Sipas informacioneve paraprake, betoniereja ka humbur kontrollin gjatë lëvizjes, ka dalë nga karrexhata dhe ka rënë nga lartësia e urës. Shkaqet që çuan në aksident mbeten ende të paqarta.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërritën forcat e Policisë dhe shërbimet e emergjencës, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së aksidentit.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve hetimore në vendngjarje.






















