Gjykata e Tiranës i cilësoi fajtorë dhe dënoi dy ish-zyrtarët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Artjol Saliasi dhe Gëzim Sala, për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi punësuan në kundërshtim me ligjin Muçi Shaljanin alias “Sheqeri”, i cili u ekzekutua në atentatin te rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit, bashkë me Gilmando Danin, ky i fundit i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.
Të dy u dënuan me nga 9 muaj burg secili. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në 6 muaj heqje lirie. Asnjëri nga dy zyrtarët nuk do të shkojë në qeli, pasi gjykata urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe i vuri ish-zyrtarët në shërbim prove për një periudhë 1-vjeçare.
Ish-zyrtarët e AMP-së u hetuan pas dyshimeve se nuk respektuan ligjin gjatë procedurës së ndjekur për punësimin në këtë agjenci të Muçi Shaljanit.
Agjenti i AMP-së mbeti i plagosur në atentatin mafioz dhe ndërroi jetë disa ditë më vonë në Spitalin e Traumës.
Në ngjarje mbeti i vrarë Gilmando Dani, i liruar me kusht. Dani ishte dënuar për gjobëvënie dhe grup kriminal dhe besohet se ishte shënjestra e atentatit.
Muçi Shaljani dhe Dani sapo ishin kthyer nga Spanja dhe, në momentin që dolën nga aeroporti, u qëlluan me breshëri kallashnikovi. Atentati mafioz hetohet nga SPAK.






















