Gjykata Administrative e Apelit nënshkroi një muaj më parë një kontratë qiraje prej 10,848 eurosh në muaj për një ambient prej 350 metrash katrorë në kullën “Aba Center” në qendër të Tiranës për të akomoduar ndihmësit e saj ligjorë dhe një pjesë të dosjeve në pritje të gjykimit – një kontratë që u konsiderua “pa logjikë ekonomike” dhe u rrëzua të mërkurën nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Përmes një kërkese dorëzuar KLGJ-së, Gjykata Administrative e Apelit e justifikoi marrjen e ambienteve me qira në njërën prej godinave më të shtrenjta në Tiranë me mungesën e hapësirave në godinën aktuale.
Sipas kërkesës që BIRN e disponon, Apeli Administrativ ka punësuar me kontrata të përkohshme 25 ndihmës ligjorë në kuadër të një projekti për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura, por sistemimi i tyre në ambientet e gjykatës ishte i pamundur.
Gjykata thekson më tej se ka bërë një studim të tregut, prej nga ka rezultuar se ambjentet që plotësojnë kushtet për të ushtruar veprimtarinë kanë mesatarisht një kosto prej 30 euro m2. Përmes letrës së nënshkruar nga zv.kryetari i Gjykatës, Ardian Dvorani, KLGJ-së iu kërkua një fond total prej 8 milionë lekësh për të përballuar qiranë dhe shpenzimet utilitare për shtatë muajt e mbetur të vitit, të ndara në gati 76 mijë euro pagesë qiraje, 500 mijë lekë për energjinë elektrike dhe 50 mijë lekë për faturën e ujit.
Burime zyrtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit i thanë BIRN se kontrata me kompaninë Gener 2 për ambientet me qira ishte lidhur prej një muaji dhe 25 ndihmësit ligjorë ishin akomoduar në ambientet e qendrës tregtare “Aba Center”, së bashku me dosjet në pritje të gjykimit.
Të pyetur nga BIRN për procedurën e ndjekur në marrjen me qira të ambienteve, burimet thanë se kishin bërë shpallje të hapur së bashku me kriteret, së cilës i ishte përgjigjur vetëm kompania Gener 2.
Gjatë mbledhjes plenarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor të mërkurën, anëtarja Gentiana Muçaj kërkoi rrëzimin e kërkesës së Gjykatës Administrative të Apelit.
“Marrja e një ambjenti me sipërfaqe 350 m2, me qira mujore rreth 11 mijë euro në muaj, pa përfshirë aty dhe shpenzimet për shërbimet utilitare, është jashtë logjikës ekonomike,” tha Muçaj, duke shtuar më tej se kjo kontratë nuk garantonte sigurinë e dosjeve.
Muçaj ngriti gjithashtu shqetësimin se kjo kontratë mund t’i vendoste gjyqtarët në kushtet e konfliktit të interesit dhe propozoi që Gjykata Administrative e Apelit të kërkonte ambiente shtesë në ndonjë institucion shtetëror apo mes objekteve të sekuestruara që gjenden pranë gjykatës.
Anëtari i KLGJ-së, Albens Tabaku theksoi nevojën për ambiente shtesë të Gjykatës Administrative të Apelit, një problem që sipas tij do të shfaqet së shpejti edhe në gjykatat e tjera.
Propozimi i Muçajt për rrëzimin e kërkesës së Apelit Administrativ u hodh në votim dhe mori shumicën e votave, me përjashtim të Ridvan Hados, Klodian Kurushit dhe Tabakut.
Rrëzimi i kërkesës nga KLGJ e kthen Gjykatën Administrative të Apelit në gjendjen fillestare. Një drejtues i Gjykatës pretendoi në kushtet e anonimatit se kjo do të sillte pengesë për të zgjidhur problemin e stokut të çështjeve të prapambetura.
“I kemi bërë kërkesa të përsëritura KLGJ-së dhe qeverisë për të na ndihmuar me objekte, por nuk na kanë dhënë asnjë zgjidhje,” tha ai, duke pretenduar se kontrata ishte lidhur përmes një procedure ligjore, sikurse kanë bërë edhe shumë institucione të tjera publike./ Reporter.al






















