
Dorina Sejdini, 34 vjeçe, e cila qëndroi vetëm 24 orë në burgun e Pojskës në Pogradec së bashku me foshnjën e saj, pasi ishte dënuar për dhunë në familje, u lirua këtë të enjte me vendim të Gjykatës së Tiranës.
Gjatë një seance të zhvilluar në dhomën penale të Gjykatës së Tiranës, u pranua kërkesa e saj për rihapjen e procesit gjyqësor në shkallën e dytë, pasi rezultoi se ishte gjykuar në mungesë. Si pasojë e këtij vendimi, Sejdini u lirua për t'u ribashkuar me dy fëmijët e tjerë, të moshës 7 vjeç dhe 2 vjeç e gjysmë.
"I vetmi problem, në aspektin ligjor, sipas mendimit tim, është se personit duhej t'i jepej mundësia të njoftohej dhe ta ekzekutonte vendimin në mënyrë vullnetare. Në vend të kësaj, autoritetet vendosën ndalimin e menjëhershëm", deklaroi avokati i saj, Bari Shyti.
Dorina Sejdini u arrestua sapo hyri në territorin shqiptar përmes pikës së kalimit kufitar të Muriqanit. Ajo po vinte nga Gjermania së bashku me tre fëmijët e saj të mitur. Sipas autoriteteve, 34-vjeçarja ishte dënuar me dy muaj burg për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit të saj.
Sejdini u dërgua në burgun e Pojskës së bashku me foshnjën, ndërsa rasti ngjalli reagime të forta në opinionin publik, si edhe reagimin e Presidentit të Republikës dhe të Avokatit të Popullit.
Njoftimi për Mediat:
Mbi interesimin publik të shfaqur, komunikojmë në mënyrë zyrtare informacionin si vijon më poshtë: Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sot më datë 23.07.2026 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore publike, kërkesën penale të paraqitur nga Kërkuesja D.S. me objekt : “Rivendosjen në afat të ankimit për vendimin Nr. 1358, datë 13.05.2026 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë” Gjykata, në përfundim të gjykimit të çështjes, pas shqyrtimit të provave të paraqitura, në mbështetje të neneve 147 dhe 420/1 të Kodit të Procedurës Penale
V E N D O S I:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Rivendosje në afat të ankimit kundër vendimit Nr. 1358, datë 13.05.2026 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të dënuarën D. S..
3. Pezullimin e ekzekutimit të vendimit Nr. 1358, datë 13.05.2026 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
4. Urdhërohet lirimi i menjëherëshëm i të dënuarës D. S. nëse nuk mbahet e arrestuar, e ndaluar apo, e dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
5. Shpenzimet proceduriale siç janë bërë.
6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim së bashku me vendimin përfundimtar. U shpall në Tiranë, më datë 23.07.2026 Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.






















