Politika 22 May 2026, 20:26 Nga VNA

Pezullimi i Dekanes së Drejtësisë për kandidimin në KLGJ, vendimi i Rektorit ngre pikëpyetje ligjore…dhe politike

Ndaje në Whatsapp
Pezullimi i Dekanes së Drejtësisë për kandidimin në

Me vendimin nr.110, datë 20.02.2026, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, pezulloi nga ushtrimi i funksioneve Dekanen e Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Dorina Hoxha. Për ushtrimin e përkohshëm të detyrave të saj u caktua Skënder Kaçupi.

Vendimi i rektorit u argumentua me faktin se znj. Hoxha është kandidate për anëtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe, sipas rektorit, deri në përfundim të procesit të zgjedhjes së anëtarëve të qeverisjes së gjyqësorit, ajo duhet të pezullohet nga ushtrimi i funksionit si dekane.

Sipas arsyetimit të rektorit, kjo masë synon garantimin e paanshmërisë institucionale dhe shmangien e konfliktit të interesit gjatë procedurës së zgjedhjes së anëtarit të KLGJ-së.

Por referuar kuadrit ligjor, rezulton se akti administrativ është nxjerrë në tejkalim të kompetencave, në mungesë të bazës ligjore dhe në kundërshtim me autonominë universitare.

VNA u konsultua me ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe në asnjë dispozitë të këtij ligji nuk parashikohet pezullimi i kandidatëve për KLGJ apo KLP, si dhe as detyrimi për t’u larguar nga funksionet akademike gjatë kandidimit.

Në të njëjtin ligj parashikohet se papajtueshmëria lind vetëm pas zgjedhjes dhe marrjes së mandatit në organin kushtetues, ndërsa kandidimi në vetvete nuk sjell humbjen e mandatit ekzistues publik apo akademik.

Madje, në pikën 5 të nenit 40 të ligjit thuhet shprehimisht:

“Anëtarët e dekanatit të cilët kandidojnë nuk marrin pjesë në mbledhje dhe nuk votojnë. Në rastin e kandidimit të drejtuesit të dekanatit, detyrat e tij kryhen nga një prej zëvendësdekanëve të Fakultetit të Drejtësisë ose pedagogu më i vjetër në detyrë i fakultetit”.

Pra, ligji parashikon kufizim të pjesshëm të detyrave vetëm në lidhje me procedurën e kandidimit për KLGJ/KLP dhe jo heqjen e ushtrimit të të gjitha funksioneve të dekanit.

Për këtë arsye, vendimi i rektorit konsiderohet një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në ushtrimin e mandatit të një autoriteti akademik të zgjedhur.

Ndërkohë, neni 3 i ligjit nr.80/2015 përcakton se institucionet e arsimit të lartë gëzojnë autonomi institucionale, akademike, financiare dhe organizative. Kjo autonomi nënkupton që organet drejtuese të zgjedhura ushtrojnë mandatin e tyre sipas ligjit dhe statutit, pa ndërhyrje arbitrare dhe jashtë rasteve të parashikuara shprehimisht nga ligji.

Sipas këtij ligji, rektori ka kompetenca administrimi, koordinimi dhe kontrolli të ligjshmërisë së funksionimit të universitetit, por nuk mund të pezullojë dekanin pa një bazë ligjore.

Ligji parashikon vetëm mundësinë e propozimit për shkarkim në raste të caktuara, ndërsa vendimmarrja i takon ministrit.

Vendimi i Rektorit Hoxha konsiderohet po ashtu në kundërshtim me nenin 52 të Statutit të Universitetit të Tiranës, i cili përcakton në mënyrë taksative rastet e përfundimit të mandatit të autoriteteve drejtuese. Kandidimi për KLGJ/KLP nuk parashikohet në asnjë moment si shkak për pezullim, ndërprerje apo përfundim mandati.

Për rrjedhojë, me këtë vendim është krijuar një shkak i ri juridik që nuk ekziston as në ligj dhe as në statut.

Një tjetër element problematik lidhet me faktin se procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ/KLP zhvillohet në disa faza dhe mund të zgjasë për muaj të tërë, madje edhe deri në një vit e gjysmë.

Kjo do të thotë se, sipas logjikës së vendimit të rektorit, një kandidat për një pozicion kushtetues do të largohej nga mandati që gëzon pa qenë ende i zgjedhur dhe pa pasur asnjë shkelje ligjore.

Sipas analizës juridike, kjo situatë cenon sigurinë juridike, stabilitetin institucional dhe vetë frymën e reformës në drejtësi, e cila synon përfshirjen e figurave akademike në institucionet e drejtësisë dhe jo penalizimin e tyre për shkak të kandidimit.

Po ashtu, rezulton se vendimi është nxjerrë në shkelje të së drejtës për proces të rregullt administrativ, pasi nuk është zhvilluar asnjë procedurë paraprake, nuk është garantuar e drejta për t’u dëgjuar, nuk është kryer hetim administrativ dhe nuk janë paraqitur prova konkrete që të justifikojnë ekzistencën e një konflikti aktual interesi.

Në rastin e Dekanes Dorina Hoxha, vendimi i Rektorit Artan Hoxha krijon një precedent të rrezikshëm institucional. Në thelb, ai konsiderohet një vendim shkarkimi, pasi dekanes i janë hequr të gjitha kompetencat dhe i është ndërprerë ushtrimi efektiv i mandatit.

Për këtë arsye, më shumë sesa një përpjekje për të garantuar një proces pa ndikim në zgjedhjen e anëtarit të KLGJ-së, vendimi për pezullimin e dekanes shihet si një tentativë e pastër e rektorit për uzurpimin e Fakultetit të Drejtësisë.

Video

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme